Boksieri i Teutës, Ardit Murja, fiton përballë rivalit të tij nga Gjeorgjia, Khvicha Gigolashvili, në ndeshjen që u luajt mbrëmë në kryeqytet.
Në përballjen që sportisti durrsak e priti me emocione, fitoi me pikë dhe jo me knockdown.
Fitorja e këtij dyluftimi i hap kështu rrugën Arditit për përballje më të rëndësishme në boksin profesionist.
“Kjo fitore na afron akoma më pranë titullit të Europës”, thotë Murja për “DurrësLajm”.
Për trajnerin Enton Kikrri, ndeshja e së premtes ishte e një rëndësie të veçantë. Ai beson fort tek boksieri i tij, që regjistron 7 fitore në përballje ndërkombëtare.
Po ndërsa stërvitet prej 12 vitesh tashmë në sportin e boksit dhe regjistron tituj kampion në rang kombëtar, Arditi e ndjen mungesën e vëmendjes së shtetit, pasi nuk marrin trajtime apo dieta.
“Gjëja kryesore këtu në Shqipëri është që nuk të mbështesin, nuk kemi trajtime, nuk kemi një dietë. Thjesht marrim vetëm urime. Duhet një suport, një mbështetje sa më e madhe për sportistët”, u shpreh boksieri durrsak për “DurrësLajm” pak ditë përpara ndeshjes.