*60 vjet më pas Taulant e Granit Xhaka kundër njëri-tjetrit në fushë…

Dy futbollistët shqiptarë , Granit e Taulant Xhaka,kanë tërhequr vëmendjen mediatike botërore për duelin vëllazëror që kanë zhvilluar ne ndeshjen e Europianit Shqipëri- Zvicër. Taulanti luajti për Kombëtaren Shqiptare, ndërsa vëllai i tij Graniti, luan me fanellën Zvicerane. Raste të tilla kanë ndodhur në botë, por në historinë e sportit shqiptar, në kampionate të njohura është rasti i dytë.

60 vite më parë është shënuar edhe rasti i duelit vëllazëror mes dy vëllezërve durrsakë Reçi, në një kampionat kombëtar boksi që është zhvilluar në vitin 1957 në qytetin e Shkodrës. Ymer Reçi, kujton rreth këtij dueli me vëllanë e tij Besnikun, i cili para disa viteve është ndarë nga jeta.

Ymeri kujton se si kjo ndeshje shënoi një sensacion të papritur për sportdashësit  shkodranë, për të cilët, kjo dukuri shërbeu si barut i thatë për ta ndezur entuziazmin e tifozëve në maksimum. Ndeshja mes vëllezërve u zhvillua mes zhurmave dhe duartrokitjeve frenetike të tifozëve dhe Ymeri thotë se “kur e fitova unë duelin me vëllanë, më morën mbi supe dhe më hidhnin lart”.

Rreth këtij dueli vëllazëror flet edhe ish-mundësi i dikurshëm i ekipit të “Partizanit”, shkrimtari Shpendi Topollaj, i cili kujton cilësitë e veçanta të Ymerit si boksier por edhe si njeri me cilësitë e rralla duke lënë gjurmë në sportin durrsak dhe atë kombëtar. Topollaj vëren se sot ky simbol i sportit tonë kombëtar nuk është futur as në listën e personave që përfitojnë pension të veçantë, megjithëse rrallëkush mund ta ketë biografinë sportive të tij.

Ymer Reçi ka qenë 6 herë kampion i vendit. Ai mbetet një figure emblematike për Durrësin. 

FITORET

Fitoret e Ymer Reçit në ring kanë qenë të njëpasnjëshme dhe njëra më e bujshme se tjetra. Ymer Reçi në moshën 14-vjeçare është shpallur kampion kombëtar për të rinjtë. Kjo ka ndodhur në vitin 1954. Më pas, fitoret dhe titujt e nderit i ka pasur radhazi. 7 herë Kampion i Shqipërisë, Mjeshtër Sporti në moshën 18-vjeçare. Më pas Mjeshtër i Merituar i Sportit dhe Krenaria e Sportit Shqiptar. Ndërsa Durrësi, për nderin e të cilit, ai guxoi të sfidojë ne rininë e hershme edhe të vëllanë e vet, i ka dhënë titullin e lartë “Krenaria e Qytetit”. 

Si një nder ndeshjet më të bukura të jetës së vet dhe më të fortat, Ymeri kujton atë që ka zhvilluar me kampionin hungarez Fyzezhi Zoltan në vitin 1958. Ai kujton se atëherë ishte në forme sportive të jashtëzakonshme. Dhe me gjithë se asokohe s’kishte grushtuar më parë në ndeshje të rëndësishme të tilla dhe me figura të tilla, ai s’u thye. Ishte ende një 18-vjeçar, pa ikur në ushtri dhe përballë i duhej të luftonte me një kampion me përvojë e 3 vjet më të madh se ai. Edhe me gjatësi ia kalonte rreth 20 cm më shumë. Shtypi i atyre viteve shkruan për këtë rast: “Kampioni Kombëtar i vendit, 19-vjeçari Ymer Reçi, mund të themi se shënoi fitoren më të bukur të ditës dhe zhvilloi një ndeshje shumë tërheqëse, të karakterizuar nga një mobilizim i papërshkruar që nga fillimi deri në fund. Ai u ndesh për peshën gjysmë të mesme të parë me 21-vjeçarin Fyzezhi Zoltan”. Ymer Reçi megjithëse pa shumë përvojë, por me shumë kurajë, arriti të fitojë me një gjigant të boksit hungarez, i cili kishte një karrierë brilante në ring. Nga 90 ndeshje të zhvilluara ai kishte fituar plot 87 prej tyre. Në historikun e humbjeve i duhej të shënonte tashmë edhe humbjen që i shkaktoi i riu shqiptar Ymer Reçi.

JETA DHE MIQTË

Ymer Reçi ka lindur më 5 janar të viti 1939 në Durrës. Lagja ku ai ka banuar ka qenë një fidanishte e rrallë ku kanë lulëzuar personalitete te shumta të jetës së qytetit, por është shquar sidomos për kualitete sportive mjaft të rralla që i kanë bërë nder Durrësit, jo vetëm në përfaqësimet e niveleve kombëtare, por edhe në veprimtaritë sportive të nivelit ndërkombëtar. Lagja “Sefer Efendiu” është terreni ku kanë kontribuar sportistë elitarë si Ruf Kazazi, Dilaver Cara, Hysen Sharra, Fatos Muco, Bon Kadiu, notarët Xhavit Sharra, Agron Kollaku, Rexhep Gojani, Xhavit Balla, Jani Kurti, notari mundës Burhan Truma, futbollisti Abdulla Duma e çiklisti i garave të shumta ndërkombëtare Dashamir Rama. Përkrah miqve të fëmijërisë, në lagjen e “Sefer Efendiut”, Ymeri pati pranë mjaft sportistë të tjerë të shquar që ishin nga Durrësi dhe mbanin peshë të madhe në ekipin e “Partizanit” si Fag Allushi, Selim Bardheti, Rami Reka, dhe të paharruarit Martin Ceta e Fred Ashiku.

Ishte vetëm 13 vjeç kur fare rastësisht tërhoqi vëmendjen e trajnerit të boksit Ilmi Reka dhe atëherë rruga e karrierës së tij sportive mori drejtimin e ringut…
Në vitin 1991nis stërvitjen dhe drejtimin e ekipit të kadetëve dhe të rinjve për moshat 14 – 16 vjeç. Në vitin 1994 ai korr fitoret e reja si drejtues. Skuadrat që ai përkujdesej në Vlorë dhe Pogradec fituan titullin “Kampion Kombëtar”. Nën drejtimin plot përkushtim të tij e stërvitje me parametra bashkëkohore, ai ka nxjerrë sot talente të reja që po bëjnë emër në ringun profesionist si Kreshnik Qaton, Lutfi Gegën e Antoneta Rrapushin. Për 8 vite me radhë Mjeshtri i Merituar Ymer Reçi ka kryer dhe detyrën e Kryetarit të Këshillit të Trajnerëve. 

K.H.