9 shkurt 2015 – Ligji është i barabartë për të gjithë… edhe kur bëhet fjalë për një boksier të famshëm si Dereck Chisora. Britaniku i ringut profesionist është fotografuar në rrugët e Londrës duke punuar për komunitetin pasi këtë dënim ia caktoi gjykata. Ai u akuzua për kërcënim me vdekje gjatë vitit të shkuar në një parking makinash dhe rezultoi fajtor. Një situatë aspak komode për 31-vjeçarin që u detyrua të pranonte vendimin e gjykatës për të dhënë kontributin e tij në komunitet. Tabloidet britanike kanë fotografuar gjigandin e ringut duke punuar për pastrimin e rrugëve të Londrës.
Gjithçka nisi gjatë muajit nëntor, rreth një javë pas disfatës së tij përballë rivalit Tyson Fury. Një person bllokoi rrugëdaljen e makinës se tij dhe Chisora e kërcënoi me vdekje atë dhe njeriun që e shoqëronte. Edhe pse njëri prej tyre i tha boksierit se do të lajmëronte policinë, ai iu përgjigj: Do të të vras. Gjykata e dënoi atë me dëmshpërblim nga 100 Pound për çdo viktimë të dhunës verbale dhe 60 orë punë në shërbim të komunitetit. Mesa duket, Chisora ka vendosur ta vuajë dënimin duke mos e apeluar vendimin. Një shembull demokracie që vjen nga Britania e Madhe ku ligji vepron me të njëjtën peshë, pavarësisht rëndësisë së personave që vendosen përpara tij.





