Boksieri i ekipit të Teutës Ergys Toçi është shpallur më i miri i turneut ndërkombëtar të boksit, zhvilluar në Itali pak ditë më parë.
Toçi ishte pjesë e ekipit kombëtar dhe kjo arritje është një fitore e madhe për të.
“Ishte një fitore mjaft e rëndësishme për mua. U shpalla boksieri më i mirë i turneut dhe fitues në peshën ku garoj, 75 kg”,– tha Toçi.
Trajneri Enton Kikrri shprehet mjaft i lumtur për fitoret e djemve të tij, pasi përveç 20-vjeçarit Toçi, një përfaqësim shumë të mirë në këtë turne ndërkombëtar bëri dhe boksieri tjetër i ekipit të Teutës, Ardit Murja.
“Bëmë një paraqitje mjaft dinjitoze. Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur për këto arritje”,– tha për “DurrësLajm”, trajneri Kikrri.
Objektivi i radhës i boksierit Ergys Toçi është mjaft i afërt. Ai synon të kthehet me gjerdan në atdhe nga një turne që do të mbahet në Francë në fund të këtij muaji.
“Jam 100% i vendosur që do të kthehem me gjerdan nga Franca.“
Po kaq të angazhuar sa Ergysi janë dhe boksierët e tjerë të Teutës që do të dyluftojnë në Francë, nën ngjyrat e flamurit kombëtar. Stërvitje intensive për Ardit Murjan, Lejon Kojën dhe Relvi Taçin, ndërkohë që besimi në fitore është mjaft i madh.
“Përgatitja po vazhdon me dy seanca intensive çdo ditë. Kemi besim se do të paraqitemi shumë mirë atje”,– thotë boksieri Murja.
Një tjetër kampion që ekipi i Teutës ka në rradhët e tij është Mexhit Hysenaj. Pasi ka mundur rivalët e tij shqiptarë në kickbox, në fund të këtij muaji Hysenaj do të përballet me një rival ndërkombëtar në turneun “Night of Champions”, që organizohet në Vlorë, më 30 prill.
Palestra e klubit “Titans” është e mbushur plot me djem të rinj, që stërviten intensivisht çdo ditë. Arritjet e bashkëmoshatarëve të tyre i motivojnë për të dhënë më të mirën, për të qenë pse jo në një të ardhme të afërt kampionët e radhës në boks.
M.B.