Në datat 14-16 maj është zhvilluar turneu ndërkombëtar i boksit për U-18, “Lah Nimani” në Prishtinë, ku ekipi shqiptar kishte në përbërje 5 boksierë. Në këtë turne merrnin pjesë sportistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Danimarka, Mali i zi, etj..

17-vjeçari Orgito Llaho është boksieri durrsak që solli në Shqipëri kupën e triumfit. Ai dominoi dhe u shpall fitues i duelit kundër boksierit gjerman në ditën e parë të aktivitetit si dhe kundër boksierit të Danimarkës në ditën e dytë, në peshën 64 kg. Llaho u vlerësua si boksieri më teknik i aktivitetit.

Ky vlerësim për gjimnazistin e vitit të dytë ishte një emocion i papërshkrueshëm, pasi siç thotë ai për “DurrësLajm” kishte dy ndeshje shumë të vështira.

“Kisha dy ndeshje shumë të vështira. Falë profesorëve të mi, shokëve të palestrës që më kanë ndihmuar gjatë gjithë kohës në stërvitje doli rezultati fitues.”

Vështirësitë e ndeshjeve i konfirmon edhe trajneri i Llahos, Enton Kikrri, i cili me krenari tregon se 17-vjeçari nga Durrësi arriti të demostrojë ndeshje cilësore.

Llaho merret me boks prej 5 vitesh. Ai tregon se kur ishte fëmijë bënte jo pak rrëmujë në lagje dhe kjo sjellje i shtyu familjarët e tij, 12-vjeçar aso kohe që ta orientonin drejt boksit, sport të cilin sot e luan me pasion.

Trajneri Kikrri tregon që për boksierin Llaho, ekipi durrsak ka objektiva për të vazhduar më tej drejt boksit profesionist, ku pretendojnë që 17-vjeçari do të arrijë rezultate akoma më të mëdha. Ndërkohë vetë Llaho aspiron që në të ardhmen të sundojë në arena botërore, duke përfaqësuar Shqipërinë.

 Pavarësisht talentit dhe pasionit, ky sport në vendin tonë ndeshet me shumë vështirësi, pasi mungojnë donatorët mbështetës. Por sa e zgjedhin të rinjtë në Durrës këtë sport? Kikrri shprehet se aktualisht në akademinë e boksit “Titans” në Durrës janë rreth 70 boksierë të grupmoshave të ndryshme që stërviten në ditë.

“Kemi shumë boksierë cilësorë”, thotë Kikrri ndërsa vijon se drejtuesit e akademisë kanë ndjekur një strategji që të rinjtë e qytetit bregdetar të orientohen masivisht drejt këtij sporti.

Gertjana Daçi