Boksieri shqiptar Ferit Keta ka fituar duelin e radhës në Berlin të Gjermanisë. Por ajo që ka rënë në sy është se i ka thyer një brinjë kundërshtarit të tij. Ferit Keta është një kampion shqiptar i ri boksi që po rritet dita-ditës. Dhe kjo fjalë kujdesit dhe stërvitjes së Ismail Ketës, ish-kampionit shqiptar në kick-box. Ka qenë pikërisht Ismal Keta që ka dhënë detajin e thyerjes së brinjës, teksa ka shkruar: “Të dashur miq, ëndrra e keqe ose meraku i tepërt, del për mirë shpeshherë. Vëllai i vogël Ferit Keta sapo shënoi fitoren me KO në raundin e parë kundër polakut shtatlartë, duke ia thyer brinjën në krahun e majtë. Faleminderit juve dhe gjithë shqiptarëve që kishin ardhur të na mbështesin.”

Nipi i Ismailit, Ferit Keta, pasi ndoqi hapat në fillim në kick-box, u përqendrua vetëm në boks dhe rezultatet e para janë vërtet mbresëlënëse. Sidomos fitorja e mbrëmshme, ku fitoi që në raundin e parë, edhe pse kundërshtari ishte më i gjatë dhe peshonte më shumë. Ishte fitorja e 8-të në po kaq ndeshje në boksin profesionist, ku 5 janë fituar me nokaut. Dhe tashmë menaxherë të ndryshëm janë afruar pranë boksierit shqiptar, pasi shohin tek ai një të ardhme të sigurtë. Për ndeshjen e fundit, kundër polakut Lukasz Zygmunt, Ferit Keta ka pasur shumë pak kohë në dispozicion për t’u stërvitur, pasi sapo kishte fituar një sfidë tjetër vetëm 2 javë më parë. Gjithsesi, me përqendrim dhe koncentrim, nuk i ka dhënë asnjë shans rivalit, duke e mundur që në raundin e parë, madje duke e gjakosur. I pranishëm ishte edhe Gjetan Keta, i cili po ashtu pret duelin e radhës në boks. Ndërkohë, një tjetër nxënës i Ismail Ketës, Kristian Prenga, po arrin rezultate shumë të mira në Kick-Box.