Jurgen Uldedaj ka triumfuar ndaj kampionit kamerunas Rolly Lambert Fogoum, duke u shpallur kampion bote në versionin IBO (International Boxing Organization). Fitorja në “O₂ Arena” të Londrës shënon një moment historik për sportin shqiptar, pasi Uldedaj bëhet boksieri i parë nga Shqipëria që fiton një titull botëror në boksin profesionist. Ndeshja ishte e ashpër dhe e balancuar deri në fund, por shqiptari spikati me qetësinë, teknikën dhe përgatitjen e tij fizike, duke dominuar me raunde dhe fituar me meritë.

Ky sukses e ngjit Uldedajn në majat e boksit botëror dhe kurorëzon një rrugëtim të gjatë në arenat ndërkombëtare. I lindur në Shqipëri dhe i formuar si sportist në Gjermani e Angli, ai ka ndërtuar me përkushtim një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme, duke regjistruar deri tani 21 fitore, 12 prej të cilave me nokaut.

Më parë, Uldedaj ka mbajtur tituj prestigjiozë si “WBO Youth”, “WBC Youth”, “IBF International”, “WBA Inter-Continental” dhe “IBO Mediterranean”. Edhe pse stërvitet mes Gjermanisë dhe Anglisë, ai vazhdon të përfaqësojë me krenari flamurin shqiptar.Me këtë triumf në Londër, Uldedaj jo vetëm konsolidon pozitën e tij në elitën e boksit botëror, por vendos edhe një standard të ri për sportin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Pas përballjes lezhjani reagoi në kanalet e komunikimit, teksa titullin ia dedikon të gjithë shqiptarëve.

“FALEMINDERIT NGA ZEMRA. Dua t’ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për urimet e panumërta për fitoren. Çdo mesazh, çdo fjalë dhe çdo lutje më kanë dhënë forcë në rrugën drejt këtij momenti historik. Jam krenar që arrita të shpallem Kampion Bote IBO në kategorinë Cruiser, dhe mbi të gjitha, që këtë fitore ia dedikoj Shqipërisë. Ky është vetëm fillimi. Faleminderit që më keni qëndruar pranë në çdo hap”, shkruan Uldedaj.