NEW YORK– Boksierja amerikane Avan Knight, e cila është kampione e botës në peshën mizë, ka sfiduar kolegun e saj Edgar Sosa, për një duel ekzibicional në katër raunde. Knight këtë e ka bërë të premten në konferencë për media para mbrojtjes së titullit të botës kundër Susana Vazquez. 

"Unë jam e sigurt që jam boksierja më e mirë në botë. Unë e kam treguar këtë në ring dhe jam e sigurt se askush nuk mund të mohojë. Jam 24-vjeçare dhe ende kam shumë për të arritur në boks dhe një gjë që e kam në mendje është një luftë ekzibicionale kundër një boksieri. Unë i kërkoj një dyluftim Edgar Sosas. Sosa në Gudalajara do të përballet me Ulises Solisin. Oferta ime qëndron për fituesin e këtij dueli, mirëpo më me qejf do të përballesha me Sosan", ka thënë Knight.. 

Knight në 14 meçe në boksin profesionist ka shënuar 10 fitore, ka pësuar një humbje dhe ka barazuar tri herë. 

Meksikani 33-vjeçar Edgar Sosa në ringun profesionist ka 47 fitore (28 KO) dhe ka pësuar shtatë humbje. Ai më herët ishte kampion bote në kategorinë gjysmë-mizë.

Ndërsa më 9 mars në Meksikë do të përballet me Ulises Solisin për titullin "WBC Silver" në kategorinë mizë.