Boksierja 25-vjeçare italiane Francesca Moro ka përfunduar në spital në gjendje kome pas duelit të humbur dje në mbrëmje me Clara Pulcinelli, sfidë e peshës 57kg dhe që u zhvillua në Chieti. Pas duelit, ajo u shtrua me urgjencë në spital, ku dhe iu nënshtrua një operacioni në kokë gjatë natës.
Mjekët thonë se është ende në rrezik për jetën, duke mos dhënë një diagnozë përfundimtare. Në momentin që gjyqtari po jepte fitoren e Pulcarelli, boksierja Moro vuri duart në kokë dhe me vështirësi qëndronte në këmbë. Pasi përshëndeti fansat, ajo thuajse u rrëzua në tapet dhe u mbajt në krahë nga stafi i saj, që e largoi me urgjencë nga salla ku u zhvillua duel.
Ndihma e shpejtë iu dha që në sallë nga mjekja që ndodhej për të asistuar përballjet e asaj mbrëmje dhe më pas u transportua në spital. Burime ende të pakonfirmuara thonë se Moro kishte patur temperaturë dy ditë para sfidës dhe nuk ishte në formë.
Gjithsesi, boksierja (5 fitore e 8 humbje në karrierë) është ende në gjendje kome në spital dhe prej natës së mbrëmshme ndodhet në sallën e reanimacionit nën mbikqyrjen e mjekëve.