Bologna ka arritur një tjetër sukses në kampionatin italian të futbollit. Skuadra e drejtuar nga ish-interisti Thiago Motta ka mposhtur ditën e sotme Romën e Mourinhos me rezultatin e pastër 2-0.

Me nga një gol në çdo pjesë, Bologna siguroi një tre pikësh që e mban në vendin e katërt me 28 pikë, një më shumë se Napoli.

Goli i parë u shënua nga Moro në minutën e 37′, pas një asisti të Ndoye. Me fillimin e pjesës së dytë erdhi dhe dyfishimi i rezultatit. Por kësaj here ishte një autogol i mbrojtësit romanist Kristensen. Danezi çoi topin në rrjetën e tij duke vulosur fitoren për vendasit.

Sakaq, kjo nuk ishte dita më e mirë për Romën. Verdhekuqtë e shohin veten tashmë në vendin e shtatë me 25 pikë, megjithatë zona europiane nuk është larg. Javën e ardhshme do të kenë një sfidë direkte me kampionët në fuqi të Napolit në “Olimpico”. Ndërsa Bologna do të pres në “Dall’Ara” skuadrën e Atalantës.