29 gusht 2015 –Usain Bolt u shpall për të katërtën herë rresht kampion bote në garën e 200 metrave duke thyer në metrat e fundit rivalin Justin Gatlin, por më shumë se kjo arritje e xhamajkanit bujë bëri fakti që në përfundim të garës, rekordmeni u përplas me një kameraman duke rrezikuar madje edhe dëmtimin. Gjithsesi, “Biri i Erës” e komenton me humor këtë episod, duke hedhur disa thumba edhe në drejtim të amerikanit.

“U argëtova shumë pasi i tregova botës se jam ende numri 1. Ju e dini të gjithë shumë mirë se 200 metërshi është gara ime. Incidenti me kameramanin? Më tronditi. Ky episod më bën të mendoj se ai është paguar nga Gatlin, por ky është thjesht mendimi im. Nuk më goditi në kavilje, por në pulpë. Kam disa shenja edhe pse ishte një moment i frikshëm. Ndoshta bëj mirë që të siguroj këmbët edhe pse frikën më të madhe e kisha për një dëmtim të mundshëm të tij pasi humbi kontrollin dhe u rrëzua me shpinë. Fillimisht mendova se përplasi kokën. Për fat të mirë nuk ndodhi asgjë dhe ai nuk ndalonte duke më kërkuar falje pambarimisht. Gjithsesi nuk ka asnjë problem”.

Menjëherë pas deklaratës së xhamjkanit erdhi edhe reagimi i amerikanit që përdori më shumë doza humori. “Atëherë dua që ai të më kthejë paratë sepse nuk e bëri siç duhet detyrën që i kisha caktuar”, nënvizoi amerikani.

Duke u rikthyer te dueli me Gatlin, Usain Bolt shtoi: “Nuk më intereson asgjë nga ato që thuhet, kush ka përdorur doping apo kush nuk ka përdorur. Unë duhej të bëja detyrën dhe ia dola mbanë. Zbres në pistë dhe përpiqem të jap maksimumin. Nga Pekini kam kujtime të bukura. 3 medalje ari në Olimpiadë dhe jam i lumtur që i tregova botës se mbetem numri 1”.

Në kahun tjetër, 33-vjeçari nga Brooklyn duhet të kënaqet me medaljen e argjendtë në të dyja duelet, 100 dhe 200 metra.
“Ndihem i sfilitur. Jam më i vjetri i grupit që garoj në 100 dhe 200 metra. Është një sforcim i madh fizik për një 33 vjeçar. Gjithsesi jam i lumtur seose 19:74 është një kohë e mirë dhe unë dhashë maksimumin. Nuk garoja me Bolt në 200 metërsh që prej vitit 2013 dhe e kuptova që duhet të punoj më shumë për ta mundur”, përfundon deklaratën për shtyp Gatlin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/