Usain Bolt një legjendë e atletikës. Sprinteri xhamajkan sikurse pritej triumfoi në garën e 100 metrave me kohën 9 sekonda e 81 të qindat, duke sfumuar ëndrrën e Justin Gatllin për medaljen e artë në Rio. Amerikani u rendit i dytë duke regjistruar kohën 9 sekonda e 89 të qindat, ndërsa vendi i tretë i takoi kanadezit të Grasse me 9 sekonda e 91 të qindat. Xhamajkani tjetër Yohan Blake nuk shkoi më shumë se vendi i katërt me 9.93. Fenomeni Bolt shkruan historinë duke u bërë atleti i parë që arrin të fitojë tri medalje të arta në tri olimpiada radhazi.Në fakt në 30 metrat e para xhamajkani nuk ishte shumë shpejtë, më pas e rriti ritmin duke e kontrolluar në cdo cast pozicionin e kundërsharëve në ekranin gjigant. Gatlin e cili pati një start të mirë, rrezikoi madje të humbiste edhe vendin e dytë. Në fund Bolt e ndali kronometrin në 9 sekonda e 81 të qindat, një kohë normale për të, pasi sic ka deklaruar gjatë këtyre lojërave ka ndërmend të mahnisë në garën e 200 metrave.

Për Usain Bolt kjo ishte medalja e shtatë e artë në Olimpiadë. 29-vjecari në përfundim të garës deklaroi se kjo ishte pjesëmarrja e tij e fundit në Olimpiadë.“Bëra të që duhet të bëja. Është dicka shumë e bukur. Këto do të jenë lojërat e fundit olimpike. Nuk e di nëse do të tërhiqem menjëherë, por është e sigurtë që nuk do të jem në Tokio 2020. Më ndiqni edhe në garën e 200 metrave, do të shihni gjëra të bukura.”Në fund legjenda e atletikës, premtoi se në Rio 2016 do të fitojë medalje të tjera.“Edhe dy medalje të arta dhe do të bëhem i pavdekshëm. Nuk vrapova fort për një kohë më të mirë, por kam shumë i lumtur që fitova. E kisha thënë më parë dhe ia dola.”