Itali, 14 maj 2014 – Policia rrugore italiane ndaloi të hënën një kamion me targa hollandeze në Bolzanon e jugut. Nga verifikimet e bëra nga policët rezultoi se kamionisti Pieter Jildert Zuidema, 60 vjeç, shtetas hollandez, ishte person në kërkim në Angli për trafik kanabisi.

Policët, pas këtij informacioni, kontrolluan ngarkesën e kamionit. Pas një ngarkesë me pjesë këmbimi dhe atlete u zbuluan 575kg kanabis i ambalazhuar në qese plastike transparente, të futura në qese plastike ngjyrë gri me mbishkrimin “King’s Product” (prodhim mbretëror), të cilat ishin futur në 58 kuti kartoni. Vlera e kanabisit, sipas çmimit me pakicë, shkon në mbi 5,5 milion euro.

Kanabisi ishte i cilësisë së mirë, prodhim shqiptar.  Kjo ngarkesë ishte e destinuar për tregun holandez dhe britanik. “Lumi” i kanabisit shqiptar nuk ka të ndalur në Gadishullin e Apenineve nga Leçeja në Bolzano.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/