Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri një deklaratë të fortë, kur tha se qeveria e Ramës dhe ajo e Aleksandar Vuçic po kryejnë trafiqe njerëzore drejt Evropës.

Këtë deklaratë ish-kryeministri e bëri gjatë një takimi që zhvilloi me sipërmarrësit në selinë blu.

Berisha:

Edhe po të doni të investoni, nuk mund të investoni. Këtu është katandisur Shqipëria sot dhe ky pretendon ta zgjidhë me bangladeshas. E dini ca bëjnë ata, vijnë, lënë pasaportat tek sipërmarrja dhe ikin, çajnë në Europë masivisht, i ka kapur edhe Europa tani, që kjo qeveri dhe ajo e Vuçiçit bëjnë trafik njerëzor. I sjellin nga Azia me kanale trafiku dhe nga Mali i Zi apo zona të tjera i përcjellin në Europë.

Një politikë shpopulluese, diskriminuese e jashtëzakonshme. Këta ato para i ndajnë me njëri-tjetrin. Merrni ju dhe shikoni kush fiton tenderat e bashkive, qeverisë. Absolutisht 95% janë vetëm kompani të njëri-tjetrit, të vëllaut, motrës, krushkut etj., sepse ndajnë paratë. Ju nuk mund të merrni pjesë në tendera, nuk keni asnjë shans se janë të paracaktuara.

Ju nuk mund të fitoni një proces gjyqësor, se drejtësinë e kontrollon qeverie, në mënyrë të paimagjinueshme.
Unë dje kisha këtu prindërit e një kopshti privat i mbyllur në kundërshtimin më flagrant të çdo ligji, kushtetute konvente. Në dhunim të konventave të të drejtave të fëmijëve. Shkon në gjykatë, asnjë të drejtë. Ua thashë dje atyre dhe po ua them edhe ju sot.

E dini si janë bërë gjykatësit dhe prokurorët; nja dy tre shekuj më parë në perandori, kur do të gjykonin shqiptarët ua zgjidhnin gjykatësit të shurdhër. Nuk kishte rëndësi çfarë thoje, dënimi shkonte me pusullë. Edhe kjo qeveri të gjitha gjyqet i fiton me pusullë, nuk ekziston e drejta për qytetarin. 90% të gjyqeve i fiton qeveria, dhe atë 10 % që fitojnë qytetarët nuk i zbaton kurrë.

Një sistem drejtësie i shkatërruar tërësisht, por pa siguri juridike nuk ka investime dhe ju të gjitha këto i përjetoni në kurriz.