30tetor 2015 – Edhe kompozitori Agim Krajka i është bashkuar zërave që flasin për debatin se artistët kanë pasur marrëdhënie me Sigurimin e Shtetit.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, ai ka përmendur këngëtaren e njohur Parashqevi Simaku, për të cilën shprehet se ka pasur “një mik nga të Sigurimit të Shtetit, që flirtonte dhe rrinte bashkë me të, aty përtej televizionit”.

“Sigurimsit ishin njerëz, ishin të përgatitur, të shkolluar. Unë jam befasuar shumë, sepse edhe unë bëja pjesë në sferën e atyre sigurimsave, se ata na shoqëronin kur dilnim jashtë. Bashkëpunimi me ta ishte detyrë. Ishte kodi i punës. Unë si përgjegjës orkestre, si udhëheqës artistik duhet të bëja relacion çdo ditë për ta, ku duhej të njoftoja se është ky apo ai problem, ose nuk ka asnjë problem. Pra unë në relacion do ta thosha çdo gjë ashtu siç ishte.

Edhe Parashqevia kishte një mik nga të Sigurimit të Shtetit, “friends” siç thuhet sot, që flirtonte dhe rrinte bashkë me të, aty përtej televizionit. Rrinin e bisedonin, flisnin për artin, për poezinë, por s’më hynte në punë mua kjo. Në atë kohë e gjithë Shqipëria ishte në syrin e sigurimsave. Ata edhe ndjenja kishin se ishin të rinj e do të lidheshin me ndonjë vajzë, siç ishte rasti i mikut të Parashqevisë”,- ka rrëfyer Krajka për gazetën.

Pak kohë më parë, deklaratat e Gjergj Lekës shkaktuan zemërim kur tha se Parashqevi Simaku ishte e privilegjuar mes kolegeve edhe për shkak të pamjes fizike dhe jo vetëm për vokalin e saj…

“Erdhi nga Kavaja, por nuk do të doja të jepja detaje, se nuk ka ardhur në ndonjë mënyrë shumë të bukur. Po lante rrobat pranë një pusi dhe kam rastisur atje, ndaj e di mirë si ka ardhur. Po pinin ca atje pranë pusit dhe e sollën në Tiranë, pastaj na çoi ajo te pusi. Na e bëri gropën sa mundi. Që ta shpjegoj më saktë dhe në mënyrë të përgjithshme: Kemi pasur këngëtare të zgjuara, këngëtare finoke dhe këngëtare kurva. Kurvat morën fund shumë shpejt, sepse e morën vesh të gjithë se ça ishin dhe i lanë. E kuptoni menjëherë për kë e kam fjalën, se kurvat këngëtare sado të famshme ishin asokohe, u zhdukën nga qarkullimi shpejt, pasi ndërroi sistemi. Fituan këngëtaret finoke dhe të zgjuara”,- tha disa javë më parë në një intervistë për ‘Panorama” Gjergj Leka. Më pas reagoi edhe e ëma e Parashqevisë: “Nuk është aspak e vërtetë se Parashqevia ishte e privilegjuar për shkak të paraqitjes së saj fizike, por prej vokalit dhe talentit të madh që ajo kishte”, tha Zoica Simaku për “Panorama”.

/portali DurresLajm/