Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi pasditen e sotme një takim me pedagogëm studentë të UAMD-së dhe anëtarë të Forumit Rinor të PD-së së qytetit bregdetar.
Gjatë takimit, Basha bëri një deklaratë të fortë duke akuzuar 3 deputetë socialistë të qarkut Durrës si anëtarë bandash kriminale apo përfaqësues të krimit në parlament. Sipas Bashës, deputetët Rrahja, Çyrbja dhe Ndraxhi nuk mund të përfaqësojnë popullin e qarkut të Durrësit në Kuvendin e Shqipërisë.
"Ai parlament është ilegjitim. Ai parlament nuk erdhi si vullnet i votës së qytetarëve. Kush më mirë sesa qarku i Durrësit për ta provuar këtë. Ju të gjithë e dini, Rrahman Rrahja nuk përfaqëson Krujën, Jurgis Cyrbja nuk përfaqëson Durrësin. Ilir Ndraxhi që nuk hap asnjëherë gojën në parlament nuk përfaqëson Shijakun, është i caktuari i bandave të Shijakut. Të paktën 3 deputetë të qarkut Durrës nuk kanë ardhur në parlament si pasojë e vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë, por kanë ardhur ose si kriminelë, anëtarë bandash, ose si përfaqësues të bandave të krimit. Dhe kur ke ardhur si përfaqësues i krimit nuk mund t’i shërbesh qytetarëve",- tha Basha.





