Gazeta portugeze “A’Bola” ka zbuluar sot bombën e merkatos së verës, largimin e Kristiano Ronaldos nga Real Madrid. Nuk është thjesht një thashethem, pasi lajmi është konfirmuar nga mediat spanjolle të cilët janë siguruar që Ronaldo ia ka shprehur këtë dëshirë presidentit Florentino Perez, duke i kërkuar njëkohësisht që të mos e pengojë.Sipas burimeve, vendimi ka ardhur pasi autoritetet financiarë në Spanjë kanë nisur hetimin kundër lojtarit për evazion fiskal dhe shmangien e taksave për një shumë prej 14,7 milionë eurosh.
Futbollisti mendon se po persekutohet në Spanjë ndaj dëshiron të largohet sa më parë nga ky vend, ku pavarësisht se ka fituar gjithçka, vazhdon të urrehet nga shumë tifozë.Sipas “A’Bola”, vendimi i Ronaldos është i pakthyeshëm, që do të thotë se do të nisë negociatat shumë shpejt me klube të tjera,. Ndërsa edhe spanjollja “Marca” bën të ditur se kjo situatë ka alarmuar madrilenët.Gazeta spanjolle insiston se Florentino Perez është në kontakt të vazhdueshëm me futbollistin për të cilin pak ditë më parë ka marrë një ofertë prej 180 milionë eurosh. Nuk dihet se kush e ka bërë këtë ofertë, por në Spanjë janë të bindur se Mançester Junajtid, PSG dhe Monako janë gati të bëjnë çmenduri në merkato për të siguruar firmën e tij, në atë që parashikohet si transferimi më i bujshëm në historinë e futbollit.