Edhe pse kampionët në fuqi të Skënderbeut e kanë mbyllur me nota pozitive fazën e parë të kampionatit, ku nuk ka shënuar asnjë humbje, në kampin Korçarë gjërat nuk shkojnë siç duhet.
Në momentin kur të gjithë presin që të festohet, te Ujqërit e dëborës ka shpërthyer bomba e cila pritet të ketë pasoja.
Numri 1 i kësaj skuadre Takaj ka marrë një vendim të papritur që është shoqëruar me shkarkime dhe pezullime të stafit drejtues.
Presidenti i Skënderbeut ka shkarkuar nga detyra të gjithë pononjësit e administratës së Klubit, duke nisur nga shefi i klubit Ilirian Përmeti duke vazhduar me zëvendëspresidentin për të përfunduar deri te ekonomistja.
Gjithashtu ai ka pezulluar pa afat edhe stafin teknik të skuadrës që drejton ku nuk mungon as përjashtimi i trajnerit Josa që këtë vit ka bërë një punë të shkëlqyer me skuadrën e Skëndërbeut duke mos njohur asnjë humbje në kampionat dhe në ndeshjet e kupës.
Ky vendim ndoshta pak i nxituar nga ana e numrit 1 të skuadrës Korçare mësohet se ka ardhur pasi nga skuadra ka patur rrjedhje informacioni pa dijeninë e presidentit të skuadrës. Informacionet e fundit për largimin e disa lojtarve që sipas presidentit nuk do të largohen në merkaton e dimrit ka bërë që ky i fundit të marrë këto vendime. Derisa gjërat të bëhen të qarta se kush ka qenë personi që ka trazuar ujrat te skuadra e Korçës presidenti do të mbajë në fuqi vendimin e marrë pasi ai nuk lejon që skuadrës të cilën drejton ti prishin imazhin dhe të nxisin konflikt brenda skuadrës pa qenë e nevojshme.
Skuadra e Skënderbeut ka kaluar një fazë të parë të shkëlqyer për sa i përket rezultateve ndërsa keqinformimet e ditëve të fundit duket se kanë trazuar pak ujrat në kampin korçar që janë shoqëruar edhe me pezullime nga ana e presidentit Takaj që kërkon të vendos autoritetin për të mirën dhe të ardhmen e sigurt të kampionëve në fuqi të shqipërisë