Një bombë artizanale e gatshme për shpërthim, e lënë vetëm pak metra larg banesës së familjes së Elvis Demçes, ka rikthyer në sipërfaqe një realitet të rrezikshëm, armëpushimi mes grupeve kriminale në Romë, nëse ndonjëherë ka ekzistuar, ka përfunduar përfundimisht.

Ngjarja ndodhi më 15 korrik, vetëm një ditë pas një operacioni të Njësisë Hetimore të Karabinierëve, që zbuloi një front të ri të aktivitetit kriminal: nga burgu i Ascolit, ku ndodhet i burgosur, Demçe dyshohet se ka dhënë urdhra për rrëmbime dhe akte dhune kundër ish-aleatëve të kthyer në armiq, si Fabrizio Fabietti. Grupi që ekzekutonte këto urdhra përfshinte shqiptarë dhe latino-amerikanë të njëjtët që në maj 2024 tentuan të eliminonin Giancarlo Tei, figurë kyçe e trafikut të drogës në Tor Bella Monaca.

Pas këtij atentati, situata kriminale në Romë u përshkallëzua. Pikat e shpërndarjes së drogës u kthyen në skena tensioni të përhershëm. Në korrik, një tjetër shpërthim ndodhi në Borghesiana, në banesën e një të dënuari tunizian të lidhur me grupet shqiptare.

Këto ngjarje duket se janë pjesë e një përplasjeje të re mes mbetjeve të grupit famëkeq të Ponte Milvio, dikur nën drejtimin e Fabrizio Piscitellit, i njohur si “Diabolik”, i cili u vra në mënyrë mafioze në gusht 2019. Që nga ajo kohë, ekuilibrat kriminalë në Romë janë bërë të paqëndrueshëm. Aleancat ndryshojnë shpejt, tradhtitë janë të përditshme, dhe dhuna është gjuha e përbashkët.

Shpërthimi pranë banesës së Demçes është më shumë se një kërcënim është një deklaratë lufte. Fëmijët dhe gruaja e tij jetojnë aty, duke e kthyer aktin në një shkelje të rëndë të të ashtuquajturave “rregulla të nderit” të krimit të organizuar. Ndërkohë, Prokuroria Antimafia ndjek situatën në heshtje, duke analizuar çdo lëvizje.

Elvis Demçe është kthyer në një figurë qendrore të kësaj lufte të re urbane. Në përgjimet e siguruara nga hetuesit, ai shprehej: “Kam ndërtuar një film që ti do ta kuptosh vetëm kur të ndodhë gjithçka… gjithçka është gati.” Sipas prokurorisë, këto fjalë i referoheshin një përballjeje të re, ndoshta edhe me Giuseppe Molisso, i lidhur me klanin e Michele Senese – një tjetër emër i fuqishëm në mafien romake.

Por Molisso nuk është i vetmi armik. Lista përfshin emra si Leandro Bennato dhe Ermal Arapaj ky i fundit shqiptar, më parë aleat, tani kundërshtar. Konfliktet për kontrollin e pikave të drogës mes tyre kanë qenë të përgjakshme. Dhe megjithëse një periudhë qetësie pasoi arrestimet, duket se një valë e re dhune është në prag.

Emri i Demçes është i pranishëm kudo ku ka përplasje, rrëmbime dhe hakmarrje. Një ndër rastet më të bujshme mbetet ai i DJ Francesco Vitale, i cili u hodh nga një ballkon për të shpëtuar nga rrëmbyesit. Zyrtarisht, Demçe nuk është lidhur me ngjarjen, por në rrugë, ku ligji nuk ka zë, emri i tij qarkullon si i përfshirë.

Dhe ndërsa hetimet thellohen, një emër tjetër po del gjithnjë e më shpesh: Giancarlo Tei kreu i një prej linjave më të mëdha të trafikut në Tor Bella Monaca, dhe një urë lidhëse mes klaneve kalabreze dhe shqiptarëve. Të njëjtët persona që tentuan ta vrisnin, sot dyshohen se janë nën urdhrat e Demçes.

Në botën e krimit të organizuar romak, drejtësisë i duhen prova. Por në rrugë mjafton një emër i përmendur në heshtje, një aleancë e prishur, apo një bombë para shtëpisë për të ndezur një luftë të re. Dhe Roma, edhe një herë, po shkon drejt përplasjes. /EuronewsAlbania