Ditët e fundit të muajit qershor në llogaritë bankare të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti, ka nisur të kalojë kësti i 6-të i bonusit të qirasë.
Pak ditë më parë banorët morën edhe këstin e 5-të, i cili duhet të kishte kaluar që në muajin maj.
Kujtojmë që vonesa e tejzgjatur në kalimin e këstit të radhës së bonusit shqetësoi së tepërmi qytetarët durrsakë, pasi pronarët e shtëpive ku janë strehuar përkohësisht u kërkonin qiranë mujore.
Janë rreth 4 mijë familje durrsake që trajtohen me bonus qiraje deri në riparimin e plotë të banesave të tyre, të shpallura të pabanueshme për shkak të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Sot kur mbushen plot 7 muaj, Këshilli Bashkiak miraton listën me emrat e qytetarëve që do të përfitojnë grantet e rikonstruksionit në varësi të dëmit në banesë, DS1, DS2 dhe DS3.
Ndërsa shumë të tjerë ende nuk dinë fatin e pallateve të braktisura prej muajsh, pasi akt-ekspertizat e thelluara për godinat me dëme DS4 dhe DS5 akoma nuk janë dërguar të gjitha nga Instituti i Ndërtimit.





