Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar anulimin e një pjese të fluturimeve nga aeroportet Orly dhe Charles de Gaulle në Paris.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Francës njoftoi se u ka kërkuar linjave ajrore të anulojnë rreth 15% të fluturimeve të planifikuara për pasditen dhe mbrëmjen e sotme, për shkak të kushteve të pafavorshme të motit në rajon.
Sipas një zëdhënësi të agjencisë, linjat ajrore janë të lira të zgjedhin se cilat fluturime do të anulojnë, me kusht që të ulin numrin e ngritjeve dhe uljeve.
Ndërkohë, autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në qarkullim, për shkak të dëborës dhe temperaturave të ulëta.
Kufizime janë vendosur edhe në rrugë. Automjetet e rënda janë ndaluar në disa segmente në Bretanjë dhe Normandi, ndërsa në rajonin e Parisit janë ulur kufijtë e shpejtësisë dhe është kufizuar qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në rrjetet kryesore rrugore.





