Sot bordi i WBD informoi aksionarët se oferta e rishikuar e Paramount muajin e kaluar ende nuk ishte aq tërheqëse sa marrëveshja ekzistuese me Netflix, edhe pse Paramount tha se kishte adresuar shumë nga shqetësimet më të mëdha të Warner Bros.

Mediat e huaja shkruajnë se, bordi i drejtorëve të WBD e quajti ofertën konkurruese për blerje nga Paramount të pamjaftueshme dhe shumë të rrezikshme. Në një letër drejtuar aksionarëve, bordi e krahasoi propozimin e Paramount me një blerje me levë, një proces financiar që mbështetet kryesisht në përdorimin e fondeve të marra hua për të blerë një kompani.

Paramount është shumë më e vogël se WBD, kështu që për të përfunduar transaksionin, ajo synon të krijojë një nivel jashtëzakonisht të lartë borxhi shtesë mbi 50 miliardë dollarë  nëpërmjet marrëveshjeve me partnerë të shumtë financimi, thuhet në letrën e WBD. Kjo strukturë paraqet rrezik dukshëm më të madh për WBD dhe aksionarët e saj, duke përfshirë mundësinë që i gjithë plani i blerjes të dështojë, krahasuar me sigurinë e bashkimit me Netflix, shton letra.

Paramount është përpjekur të qetësojë shqetësimet në lidhje me financimin duke theksuar faktin se një nga njerëzit më të pasur në botë, miliarderi i Oracle, Larry Ellison, po financon pjesën më të madhe të blerjes së propozuar. Djali i tij, David Ellison, drejtori ekzekutiv i Paramount, nxiti një luftë ofertash për WBD vitin e kaluar duke paraqitur një ofertë të pakërkuar për asetet, përfshirë CNN.

WBD, e udhëhequr nga CEO David Zaslav, më pas vazhdoi me një ankand dhe pranoi ofertën e Netflix prej 27.75 dollarësh për aksion për Warner Bros. dhe HBO, me 23.25 dollarë në para të gatshme dhe bilancin në aksione të Netflix. Paramount ofroi 30 dollarë për aksion dhe e bëri publike atë ofertë pasi u refuzua nga bordi i WBD-së. Megjithatë, bordi ende këmbëngul se oferta e Paramount është inferiore. Përveç shqetësimeve në lidhje me financimin me borxh dhe kushteve të pafavorshme që lidhen me ofertën, WBD përmendi vlerën potenciale të aseteve të saj kabllore, të cilat Netflix nuk po i blen.

Si do të funksionojë formati i ri?

Kanalet kabllore të WBD, përfshirë CNN, do të ndahen në një kompani të re, të tregtueshme publikisht, të quajtur Discovery Global, më vonë këtë vit. Bordi i Warner thotë se Discovery Global do të ketë vlerë të konsiderueshme më vete, ndërsa Paramount e ka vlerësuar atë me vetëm 1 dollar për aksion.Kur Paramount nisi ofertën e saj armiqësore për blerje, WBD e quajti ofertën iluzionare dhe ngriti pyetje në lidhje me financimin, i cili vjen kryesisht nga familjet mbretërore të Arabisë Saudite, Katarit dhe Abu Dhabit.

Në përgjigje, Paramount njoftoi më 22 dhjetor se Larry Ellison do të garantonte personalisht 40.4 miliardë dollarë nga paratë e veta për të financuar marrëveshjen prej 78 miliardë dollarësh. Ellisons gjithashtu u zotuan t’u lejonin aksionarëve të WBD të rishikonin financat e fondit të tyre familjar, ndërsa Paramount rriti shumën e kompensimit që do t’i paguante WBD në 5.8 miliardë dollarë, e barabartë me pagesën e premtuar nga Netflix.

Megjithatë, Paramount nuk e rriti ofertën e saj mbi 30 dollarë në këtë ofertë të ndryshuar. Tani, Paramount duhet të marrë një vendim: mund të tërhiqet, mund të rrisë ofertën e saj ose mund të kërkojë votën e aksionarëve të WBD. Natyra armiqësore e ofertës së Paramount do të thotë që aksionarët e WBD mund ta refuzojnë rekomandimin e bordit nëse kompania vendos ta kalojë çështjen drejtpërdrejt në duart e aksionarëve.