Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve, është mbledhur për dy ditë me radhë për të përcaktuar çmimet e reja.

Për të dytën ditë me radhë është ulur çmimi i naftës, ndërsa ai i benzinës është rritur.

Mësohet se nga sot, një litër naftë do të shitet me 232 lekë nga 236 që ishte një ditë më parë, ndërsa përpara 3 javësh, u vendos në 240 lekë.

Ndërsa benzina është vendosur të shitet me 212 lekë për litër, nga 208 që u vendos një ditë më parë.

Njoftimi i Bordit të Transparencës:

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 2 Nëntor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 1.11.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 961, + 32 nga data 31.10.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 1057, – 31 nga data 31.10.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar një rritje të lehtë në 119.27 ( +0.02 nga data 31.10.2022).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 232 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 220 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 212 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 200 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 74 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 62 lekë/litër për automjetet.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 2 Nëntor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.