“BE beson se i vetmi plan i zbatueshëm i paqes për Ukrainën është plani i paraqitur nga presidenti Zelensky. Brukseli nuk e merr seriozisht nismën kineze”, u shpreh të premten shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Kryediplomati i Brukselit tha se pikëpamja e BE-së është se negociatat për arritjen e paqes në Ukrainë nuk do të kishin asnjë kuptim në këtë pikë të zhvillimeve mes vendeve.
Borrell kritikoi gjithashtu Kinën për mbështetjen e Rusisë, por vuri në dukje se ende nuk ka pasur shkëmbim armësh mes dy aleatëve.
Ai theksoi se BE-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e saj për përpjekjet ushtarake të Ukrainës. “Ky nuk është momenti për biseda diplomatike rreth paqes, është momenti i mbështetjes së Ukrainës në luftë,” tha ai.