Brukseli po monitoron nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së për qetësimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe nëse gjykon se Beogradi nuk i respekton ato, është i gatshëm të shqyrtojë vendosjen e masave ndëshkuese ndaj autoriteteve në Serbi, tha kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

“Janë marrë masa në lidhje me Kosovën. Këto janë masa politike dhe financiare, ndër të cilat është pezullimi i vizitave dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, me përjashtim të Dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Ato masa kanë ndikim edhe në mbështetjen financiare për Kosovën. Pezullimi është i përkohshëm dhe i kthyeshëm dhe do të hiqet sapo të ketë de-përshkallëzim në terren. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke monitoruar nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së dhe në rast të mospërputhjes, BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat”, tha Borrell.

Në përgjigje të një pyetjeje të parashtruar në qershor, pas konfliktit para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, ai përsëriti se “de-përshkallëzimi duhet të ndodhë tani, nga të dyja palët” dhe se aktet e dhunshme si ajo e 29 majit janë “plotësisht të papranueshme dhe nuk mund të përsëriten në të ardhmen”.