“Më 1 shtator mund të kishte shpërthyer kriza në Veri te Kosovës nëse nuk do të arrihej marrëveshja për dokumentet me Serbinë”. Kështu shprehet Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë një interviste për televizioin publik austriak ORF.

Borrell e ka cilësuar lajm të mirë marrëveshjen e 27 gushtit për uljen e tensioneve në veri.  “Ne operojmë në modalitetin e parandalimit të krizave. Dhe ajo mund të kishte shpërthyer nëse nuk do të kishim arritur një kompromis për kalimin e kufijve, u shpreh ndërmjetësi europian në negociatat me Kurtin dhe Vuçiç.”

Borrell është shprehur optimist edhe për arritjen  e paktit mes dy vendeve për targat e automjeteve. “Jam i bindur se mund ta zgjidhim edhe këtë”, deklaroi zyrtari europian ndersa  më 1 shtator do të hyjë në fuqi reciprociteti për targat sipas Vendimit të Qeverisë së Kosovës. Një marrëveshje për to ishte arritur më 30 shtator 2021, por nuk ka gjetur zbatim në teren.

Jam i lumtur të njoftoj se pas takimit të Dialogut të Lartë të javës së kaluar në Bruksel dhe përpjekjeve intensive në Prishtinë dhe Beograd në ditët e fundit, sot kemi një marrëveshje për lirinë e lëvizjes ndërmjet Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia është pajtuar të heqë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova ka rënë dakord që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe.

Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet. Bashkimi Evropian për këtë ka marrë garanci nga kryeministri Kurti.

Jam shumë i lumtur që gjetëm një zgjidhje evropiane që lehtëson udhëtimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Dëshiroj t’i falënderoj të dy liderët për realizimin e kësaj, në veçanti Presidentin Vuçiç, i cili tregoi përgjegjësi dhe lidership sot.

Ditët e fundit kanë qenë gjithashtu një shembull i bashkëpunimit praktik të shkëlqyer BE-SHBA dhe do të doja të falënderoja partnerët tanë amerikanë për mbështetjen e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga BE. Dhe dua të falënderoj edhe Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák për këtë punë të shkëlqyer që ka bërë.

Por kjo punë për lirinë e lëvizjes nuk ka përfunduar. Ka disa probleme ende pezull dhe pres që të dy liderët të vazhdojnë të tregojnë pragmatizëm dhe konstruktivitet për të zgjidhur problemin me targat.

Siç e kam thënë shumë herë më parë, në kohë lufte në Ukrainë, me sfidat me të cilat ne si evropianë po përballemi, Evropa nuk ka nevojë për tensione. Ne kemi nevojë për zgjidhje. Ne kemi nevojë për zgjidhje në Ballkanin Perëndimor. Dhe sot arritëm një zgjidhje. Ka disa probleme në pritje dhe ne do të duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i zgjidhur ato. Por sot është një ditë shumë e mirë. Dhe unë kam këtë lajm shumë të mirë për të njoftuar.