Pas kritikave që lojtarët kanë marrë nga trajneri Magani, për humbjen ndaj Luftëtarit, dje futbollistët e Teutës kanë zhvilluar dy seanca stërvitore. Me përjashtim të Beqjës, që është i dëmtuar, pjesa tjetër e ekipit ka qenë e plotë. Ndeshja e radhës ndaj Vllaznisë konsiderohet edhe si një autokritikë për futbollistët, që të korrigjojnë hapin fals.
Ndeshja ndaj Vllaznisë do të jetë e veçantë për shkodranin e Teutës, Ergi Borshi, i cili, është shprehur: “Na pret një takim shumë i vështirë ndaj Vllaznisë, skuadër që në fushën e saj bëhet akoma më e fortë. Kemi një kalendar të ngjeshur në javët e fundit me rivalë direkt në garën për mbijetesë dhe kjo na e bën situatën akoma më delikate.Personalisht e di se çdo të thotë të luash në Shkodër si lojtar kundërshtar. Ndaj e vetmja gjë që duhet të bëjmë, është të stërvitemi mirë dhe fort, në mënyrë që të mos bëjmë të njëjtat gabime si në takimin e fundit. Ajo përballje duhet harruar dhe duhet të mendojmë për të ardhmen dhe synimin e vetëm që të sigurojmë pikë dhe t’i largohemi fundit të klasifikimit.Trajneri është duke punuar shumë me skuadrën si në aspektin tekniko-taktik, edhe në atë moral. Tani duhet të jemi përqendruar dhe të mësojmë nga ndeshjet që kemi lënë mbrapa”, ka mbyllur Borshi, i cili ka qenë më parë pjesë e kuqebluve.
Sa i takon transfertës, ende nuk dihet nëse trajneri Magani do të bëjë ndryshime në formacion, apo do t’u besojë të njëjtëve futbollistë si në sfidën me bluzinjtë. Teuta ka një pozitë jo shumë komode në renditje dhe i duhet më çdo kusht që të marrë pikë në Shkodër.