Tiranë, 2 maj 2014 – Borxhet e bixhozit çuan drejt vetëvrasjes biznesmenin Lulzim Saliasi. Menaxheri i një firme transporti udhëtarësh, kishte humbur shuma të mëdha parash në lojërat e fatit dhe për këtë kishte vendosur të ndërmerrte aktin ekstrem. Lulzim Saliasi është gjetur i pajetë rreth orës 11:00 të paradites së sotme, në një banesë ku rrinte me qera në rrugën “Mine Peza”, nga bashkëshortja dhe nipi i tij.

41-vjeçari ka lënë një letër ku shfaq pendesë për aktin që po ndërmerrte dhe u kërkon familjarëve të kujdesen për vajzat. Ai kishte planifikuar të pinte një kafe në një nga lokalet afër banesës, pranë prokurorisë së Tiranës me nipin dhe bashkëshorten rreth orës 9:00 të mëngjesit. Por pasi e kanë pritur gjatë në kafe, të afërmit e telefonojnë dhe telefoni rezultonte i fikur.

Familjarët e tij kanë thyer derën e banesës dhe kanë gjetur Saliasin të vetëvrarë. Policia nuk ka zbuluar gjurmë të tjera në banesë, ndërsa prania e letrës është një tjetër provë se 41-vjeçari është vetëvrarë në kushte depresioni.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/