Në dhjetor 2011 niveli i borxhit publik i SHBA mbi GDP arriti 99.5%, që është shifra më e lartë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërsa Amerika vazhdon të mbajë një “credit rating” (besueshmëri ekonomike në kthimin e borxhit) të lartë, rritja konstante e borxhit do të çojë padyshim në nevojën për të rishikuar statusin e Washington-it. Ky fakt është një argument tjetër në favor të kufizimit të shpenzimeve qeveritare, të rritjes së të ardhurave dhe të uljes së deficitit buxhetor të shteteve amerikane. Një nivel i lartë borxhi mund të zvogëlojë “credit rating”, duke komplikuar mbulimin e borxhit në të ardhmen. Në gusht 2011, agjencia amerikane për “credit rating”, “Standard & Poor's”, ka degraduar besueshmërinë ekonomike të SHBA, ndërsa në fund të nëntorit agjencia “Fitch” ka vulosur parashikimin e “credit rating” amerikan nga “të qëndrueshëm” në “negativ”. Kjo do të thotë se në gjashtë muajt e ardhshëm besueshmëria mund të ndryshojë, gjë që mund të ndikojë në çmimin e borxheve të reja. Kongresi amerikan nuk ka arritur konsensus mbi shkurtimet në buxhet, ndërsa afrimi i zgjedhjeve presidenciale, në fund të 2012, po krijon një klimë politike që do të ngadalësojë masat për zvogëlimin e borxhit amerikan. Edhe sot, me gjithë frikën dhe shqetësimet, interesat mbi bonot e thesarit amerikan janë shumë të ulëta dhe mbulimi i borxhit është mjaft i lirë për Thesarin e SHBA. Në të ardhmen e parashikuar nuk pritet asnjë progres domethënës në këtë sektor, derisa tregu nuk do të shtrëngojë autoritetet të ndërmarrin aksione më agresive, siç po ndodh tashmë në Europë. Një nga çështjet kyçe e pazgjidhur është sistemi tatimor për 2012. Partia Demokratike propozon vendosjen e “taksës për të pasurit”, e zbatueshme për individët me të ardhura mbi 1 milion dollarë në vit. Në të njëjtën kohë, presidenti Barack Obama kërkon uljen e taksave mbi të ardhurat e amerikanëve të thjeshtë në 3.1%. Për më tepër, Partia Demokratike nuk pranon të shkurtojë programet sociale të kushtueshme që “ushqejnë” elektoratin e tyre. Nga ana tjetër, Partia Republikane konsideron të nevojshme lehtësimin e taksave për biznesin e madh dhe minimizimin e kostove për programet sociale. Kompromisi duhet gjetur sa më shpejt i mundur.