Nëse bota sot është e zhytur në varfëri, stres agresiv për të nesërmen, kriminalitet; nëse njerëzit përballen me papunësinë, mungesën e strehimit dhe të burimeve për një jetë normale, shkaqet vijnë nga roli i pushtetit qëndror, pjesërisht dhe i atij vendor të fiksuar pas interesave personale dhe klanore, si dhe politikat e pengut, mungesës së copave të letrës dhe shifrave elektronike të quajtura para në qarkullim dhe nga vendosja e interesave mbi to.

Është e njohur ajo që Robert H. Hemphill, menaxher kredish në Bankën e Rezervës Federale në Atlanta shkroi 78 vite më parë: “Jemi tërësisht të varur nga bankat tregtare. Nëse bankat krijojnë para artificiale të mjaftueshme, jemi të suksesshëm, nëse jo do të vuajmë nga uria. Ne jemi absolutisht pa një sistem të qëndrueshëm monetar.”

Në këtë epokë të globalizimit, ku ekonomia nuk është më një shkencë ekzakte, por reflekton luhatjet e shoqërisë dhe sistemit botëror financiar, rasti shqiptar përbën interes dhe veçanërisht situata e borxhit publik dhe reflektimi i saj në rritjen ekonomike të vendit. Borxhi publik i Shqipërisë rritet disa herë më shpejt se sa rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe, sipas statistikave zyrtare, në fund të vitit të kaluar ka arritur në shifrën rekord prej 7.4 miliardë dollarësh amerikanë.

Çfarë ndodh në rastet kur buxheti është defiçitar siç ndodh me shumicën e vendeve të botës? Atëherë Qeveria mund të ndjekë dy rrugë: të emetojë para ose të marrë hua nga publiku, përfshirë këtu dhe vendet e tjera. Hedhja e vazhdueshme në treg e bonove të thesarit, nevoja e Qeverisë për para çon në rritje të këtij borxhi, duke ndikuar dukshëm edhe në rritjen ekonomike të vendit dhe rënduar vazhdimisht brezat që mbartin borxhet. Moody’s, një nga agjensitë e mëdha të vlerësimit të riskut disa kohë më parë u shpreh se borxhi i lartë publik që ka Shqipëria e vë atë përballë një rreziku të nivelit mesatar ndaj falimentimit.

Ky borxh dhe ngadalësimi i ritmeve në procesin e integrimit europian për shkak dhe të krizës së thellë politike në vend konsiderohen nga kjo agjensi si rreziqet kryesore për mundësinë e shkarjes së vendit drejt falimentimit. Së fundmi edhe koordinatorja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor lëshoi sinjale alarmi për rritjen e borxhit dhe faktin se vendi po përballet me rënie të investimeve të huaja dhe eksporteve për shkak të krizës së borxheve në Eurozonë, të cilave i shtohet dhe rënia e reminitancave dhe dëmet e shkaktuara nga thatësira në sektorin e bujqësisë dhe hidro-energjitikës. Xhein Armiteixh deklaroi për Rojters (Reuters) se në këtë pjesë të Ballkanit vetëm Kosova, shteti i ri dhe me një ekonomi të vogël vazhdon të njohë rritje ekonomike, falë nivelit të ulët që ka në integrimin drejt tregjeve europiane, ndërsa borxhi është në nivele të ulëta dhe investimet në infrastrukturë të shumta.

Shqipëria ndërkohë do të vazhdojë të përballet me sfidat që rrjedhin si pasojë e rritjes së borxhit publik që është në kufirin e vet ligjor, 60 përqind të GDP-së. Ndërkohë tregtia, remitancat dhe lidhjet e sektorit bankar me Greqinë dhe Italinë e bëjnë vendin të prekshëm gjithnjë e më shumë ndaj efekteve të shpërthimit të krizës globale financiare për periudhën në vazhdim. Borxhi ka ardhur në rritje. Në raportin tremujor të ministrisë së Financave, vihet në dukje se ky borxh ka kaluar në 772,8 miliardë lekë në vitin 2011 nga 715,5 miliardë në vitin 2010, me një rritje në masën 8 %. Në vitin 2009, kjo shifër ishte në nivelin 682,5 miliardë lekë dhe në periudhën njëvjeçare 2009-2010 rritja e këtij borxhi ishte 5%.

Sasia nominale e borxhit është rritur brenda 12 muajve të vitit të kaluar me 41 milionë euro, ndërkohë që një vit më parë rritja ishte 23 milionë euro, sipas kursit aktual të këmbimit. Ndërkohë në fund të 3 mujorit të parë të këtij viti borxhi publik arriti në 788,3 miliard lekë duke vijuar kështu rritjen nga viti në vit. Pjesa dërrmuese e këtij borxhi i përket Qeverisë, ndërsa një pjesë e vogël e borxhit i përket pushtetit lokal, i cili ka nisur të akumulojë borxh nga viti 2010 e në vazhdim, pasi deri në 2009 niveli i tij raportohet të ketë qenë 0.

Borxhi i qeverisë qendrore llogaritet në 58.74 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit, sipas Ministrisë së Financave, ndërkohë që borxhi i marrë nga pushteti vendor ishte gati i papërfillshëm, 0.02 për qind e PBB-së. Ka ekspertë që deklarojnë se borxhi publik e ka kaluar kufirin ligjor, që është 60 % e GDP-së (PBB), ndonëse kjo nuk pranohet nga Qeveria, të dhënat e së cilës në mënyrë të vazhdueshme janë vënë në dyshim në të gjithë sektorët edhe nga organizma ndërkombëtarë, përfshirë këtu dhe Departamentin Amerikan të Shtetit.

Përsa i përket burimit të financimit, struktura e stokut të borxhit të qeverisë qendrore ka mbetur e njejtë me vitin 2010: borxhi i emetuar në tregun e brendshëm përfaqëson rreth 57 për qind të stokut të përgjithshëm dhe borxhi i jashtëm përbën 43 për qind të këtij stoku. Ndërsa, sipas afatit origjinal të maturimit, struktura e stokut të borxhit përbëhet nga borxhi afatshkurtër në masën 33 për qind dhe ai afatgjatë në masën 67 për qind. Ndërkaq vendi ynë ka njohur rreth 300 milion euro borxhe të kohës kur vendi kishte marrëdhënie me Rusinë.

Në librat e borxhit hyjnë dhe garancitë ndaj ndërmarrjeve si KESH, Ujësjellësi etj. Dorëzania qeveritare i ndihmon kompanitë në marrjen e kredive me interes më të ulët.

Në vendet që kanë rritje ekonomike, borxhi nuk është problematik, ndërsa aty ku rritja ekonomike frenohet, borxhi kalon në një problem madhor për një vend. Qeveria ndërkohë ka deklaruar se nuk do të ketë probleme financimi për borxhin publik të paktën për këtë vit, pasi kriza greke ka çuar në transferimin e sasive të konsiderueshme të depozitave të emigrantëve shqiptarë nga bankat greke në bankat shqiptare.

Kjo kundërshton realitetin kritik që jetojnë emigrantët në Greqi dhe më gjerë dhe uljen e dërgesave të tyre, megjithatë thuhet se falë këtij fluksi të parë monetar depozitash që bëhet shkak, i brishtë gjithsesi, i lehtësimit të kushteve të financimit të borxhit, qeveria u tregua kokëfortë gjatë muajve të shkuar të këtij viti përballë Bankës Botërore, kur kjo e fundit i ofroi kredi deri në 300 milionë dollarë me interesa të ulëta (3 – 5%) në këmbim të disiplinës financiare dhe mosrritjes së mëtejshme të borxhit.

Sasia nominale e borxhit është rritur brenda 12 muajve të vitit të kaluar me 41 milionë euro, ndërkohë që një vit më parë rritja ishte 23 milionë euro, sipas kursit aktual të këmbimit. Ndërkohë në fund të 3 mujorit të parë të këtij viti borxhi publik arriti në 788,3 miliard lekë duke vijuar kështu rritjen nga viti në vit. Pjesa dërrmuese e këtij borxhi i përket Qeverisë, ndërsa një pjesë e vogël e borxhit i përket pushtetit lokal

Sipas guvernatorit të Shqipërisë Ardian Fullani, inflacioni është nën kontroll dhe treguesit kryesorë janë të qëndrueshëm, por politikat e qëndrueshme fiskale nuk mjaftojnë që të sjellin qëndrueshmëri makro-ekonomike. Fullani zor se mund të thoshte më shumë. Baza ligjore e mbështetur kryesisht në modelin gjerman i ofron Bankës së Shqipërisë një shkallë relativisht të lartë pavarësie, që duhet të reflektohet dhe në uljen e financimit të defiçitit buxhetor prej saj.

Ndërkohë borxhi publik vazhdon të rritet, për shkak të kombinimit të të ardhurave tatimore më të ulëta me shpenzimet në rritje të qeverisë dhe me vendosmërinë e kësaj të fundit për të subvencionuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare me paratë e taksave, por duke shmangur rritjen e çmimit të dritave, siç duhet të ndodhë normalisht.

Ndërkohë, rritja e borxhit dhe tkurrja e ritmit të rritjes së ekonomisë kanë sjellë rritje të varfërisë në vend, pasi rritja ekonomike fillimisht përfitohet nga shtresat e pasura, pastaj nga shtresa e mesme dhe në fund, nga të varfrit. Në qarqet e ekonomistëve ekziston në formë anekdote shprehja se rritja ekonomike prej 3 për qind u takon vetëm të pasurve, 3 deri në 6 për qind i jep përfitime shtresës së mesme dhe mbi 6 për qind i jep rritje të mirëqenies edhe shtresave të varfra.

Kjo gjen pasqyrim gjerësisht në realitetin shqiptar ku në çdo dalje publike kryeministri i vendit dhe kreu i opozitës kundërshtojnë njëri tjetrin lidhur me deklaratat mbi rritjen ekonomike dhe pasojat e saj në vend. Gjatë tri viteve të fundit, kur rritja ekonomike ka qenë më pak se 3 për qind, konsumi përfundimtar i popullatës i matur përmes indeksit të shitjes me pakicë, ka ardhur në rënie. Rritja ekonomike prej 2-3 për qind në vend është përfituar pothuajse tërësisht nga korporatat e mëdha, të cilat në Shqipëri janë nën pronësi të huaj.

Përtej limitit ligjor të borxhit

Shqipëria ka një ligj për borxhin publik të miratuar në vitin 2008, ku sanksionohet që borxhi të mos e kapërcejë kuotën 60 % të PBB-së. Por shoqëria shqiptare nuk është e zhvilluar mjaftueshëm për të imponuar apo vetimponuar respektimin e ligjit dhe qeveria nuk pritet të përballet me pasoja ligjore në rast se e shkel këtë klauzolë që ajo vetë e ka miratuar.

Teorikisht qeveria duhet të kërkojë në Parlament rishikimin e ligjit mbi borxhin publik dhe rritjen e limitit prej 60 për qind, për t’ju përgjigjur dhe ligjërisht parashikimeve të ekspertëve të Fondit për rritje të borxhit në vitet e ardhshme, por edhe një realiteti që gjithnjë e më shumë bëhet në publik. Ekspertë të financave shqiptare thonë se borxhi realisht është mbi 60%.

Manipulimi i të dhënave nga INSTAT është një realitet i njohur dhe limiti i borxhit publik është shkelur në fundvitin që shkoi, si dhe gjatë muajve të parë të këtij viti. Jemi në vitin 2012 dhe të dhënat nga INSTAT për GDP-në e vitit 2010-s janë ende paraprake. Prandaj dhe për sa kohë nuk ka të dhëna të sakta të çertifikuara për vlerën (jo përqindjen) e GDP-së atëherë Ministria e Financave dhe krerët e qeverisë mund të deklarojnë se borxhi publik ndodhet nën kufijtë e lejuar ligjorë. Fakti që viti i ardhshëm është një vit i ashpër elektoral dëshmon tërthorazi se pak gjasa ka që borxhi publik të shkojë drejt uljes.

Në përpjekje për të mbajtur pushtetin, Qeveria ka rritur numrin e investimeve dhe meqë të ardhurat nuk ofrojnë shumë mundësi këto investime pritet të financohen nga huamarrja. Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Intermit Gill, në mars të këtij viti ishte në Tiranë për të prezantuar raportin “Rritja e artë” të publikuar nga BB dhe gjatë një interviste për një media private pranoi se borxhi i Shqipërisë është i lartë dhe se vendi duhet të ulë atë në 40 % të Prodhimit Kombëtar. 

Sipas tij, për ekonomitë e mëdha të zhvilluara është 90%, për ekonomitë më të vogla të zhvilluara është 60 %, ndërsa për ekonomi si Shqipëria është 40 deri në 50 %. Përtej kufirit 40% të borxhit gjetja e financimeve të favorshme bëhet e vështirë.

Parashikimi i FMN: 67 %, borxhi në 2017-n

Ekspertët ndërkombëtarë propozojnë gjetjen e rrugëve për rritjen e të ardhurave, kryesisht përmes eficencës së mbledhjes së taksave dhe përdorimit  të parave të siguruara nga privatizimet e mëdha për uljen e borxhit. Sinjalin e parë për kohë të vështira në ekonominë e Shqipërisë e dha në fillim të këtij viti FMN. Në raportin “Një vështrim në ekonominë botërore, 2012”, FMN e rendit Shqipërinë ndër 26 vendet më të rrezikuara nga kriza në eurozonë, që pritet të kenë tkurrje të mëdha të rritjes ekonomike. 

 

772,8 miliardë lekë ishte niveli i borxhit në vitin 2011 nga 715,5 miliardë në vitin 2010

8 përqind rritje shënoi borxhi në vitin 2011, ndërsa në periudhën 2009-2010 rritja ishte 5%

41 mln euro është sasia nominale e rritjes së borxhit në 2011, në 2010 rritja ishte 23 mln 

Parashikimi i FMN-së është që borxhi publik këtë vit të arrijë në 826 miliardë lekë, e barasvlefshme kjo me 61.7 për qind të PBB-së. FMN-ja parashikon vite të vështira për Shqipërinë së paku deri më 2017-n, ku vlerësohet se rritja ekonomike do të jetë mesatarisht 2.5 për qind në vit. Për rrjedhojë, borxhi publik me ritmet aktuale parashikohet të rritet deri në 67 % të PBB-së në vitin 2017.

Ekonomistët e huaj vlerësojnë se ka një lidhje të ngushtë mes nivelit të borxhit publik dhe rritjes ekonomike, gjë që do të thotë se sa më shumë të rritet borxhi i qeverisë, aq më keq ecën ekonomia. Kjo ndodh për shkak se qeveria tërheq paranë e disponueshme në ekonomi dhe e përdor me eficensë shumë më të ulët se sa sektori privat, ndërsa bankat zgjedhin të financojnë qeverinë si investim më i lehtë e më i sigurt.

Vështirësitë në shlyerjen e borxhit

Për zv/ministrin e Financave Alfred Rushaj në vendin tonë kostoja e borxhit që ka të bëjë me cilësinë e borxhit është një kosto e mirë. ½ e borxhit vjen nga kreditimet e organizmave ndërkombëtare financiare, si BB, BEI, BERZH etj. për investime të ndryshme. Ai pranon dhe se në momentin që është shkëputur nga vendet e varfra, Shqipëria nuk merr më kredi të zbutura nga organizmat financiare ndërkombëtare.

Pjesa tjetër e borxhit vjen nga instrumentat e brendshme dhe ato maturohen çdo 3 muaj dhe emetohen të reja. Inflacioni në vend vlerësohet i pranueshëm megjithë krizën që ka prekur Europën. Pjesë e borxhit publik janë dhe kontigjencat, pjesë e të cilave janë situatat emergjente, rrisqet, psh. ato energjetike, siç është rasti i përdorimit të një fondi prej 2 milion eurosh në shkurt për KESH, blerjen e energjisë elektrike. Sistemi shqiptar financiar në masën 94 përqind mbetet i dominuar nga aktivet bankare dhe një pjesë e borxhit do të blihet a financohet nga ana e bankave. Pozitive vlerësohet tendenca e qeverisë për të zgjeruar raportin e borxhit në drejtim të individëve.

Krerët e financave shqiptare pranojnë se borxhi nuk mund të ulet në mënyrë të shpejtë, pasi shumica e borxheve me bankat e zhvillimit janë pjesë e marrëveshjeve bilaterale dhe konsistojnë në kredi afatgjata. Pra, edhe nëse ekziston mundësia që vendi të shlyejë borxhin para afatit ai është i detyruar ta respektojë atë, rrjedhimisht edhe interesat kundrejt të cilave është marrë.