28tetor 2015 – Komuniteti boshnjak në zonën e Durrësit është organizuar në 150 vjetorin e mbërritjes së tyre në Shqipëri nga Bosnjë- Hercegovina. Emigrantët boshnjakë sollën prej vendlindjes zambakun e bardhë, lulen e tyre tradicionale, emër të cilin e mban edhe shoqata e ngritur 20 vjet më parë. Fiqiri Kllari, konsulli i nderit të Bosnjë Hercegovinës në Shqipëri, njëkohësisht kryetar i shoqatës “Zambaku”, solli në vëmendjen e të ftuarve aktivitetin e boshnjakëve që u vendosën buzë lumit Erzen, në Shijak e në rrethinat e tij.

“Boshnjakët punëtorë, sollën me vete traditat dhe mesazhet e paqes dhe harmoninë e bashkëjetesës në qytetin e Durrësit”, tha Fiqiri Kllari. “Ndërsa sa i përket teorive, besohet se boshnjakët qenë nisur drejt Turqisë, por gjatë qëndrimit në portin e Durrësit kishin takuar një oficer turk ku gjatë një bisede të shkurtër u tha: Turqinë mund ta gjeni edhe këtu, prandaj nuk është e nevojshme të shkoni atje”. Për ardhjen e boshnjakëve në Shqipëri ka disa teori të ndryshme. Dyshohet që nje anije pësoi defekt dhe ata dhe zbritën në Durrës për ta rregulluar. Mund të kenë ndaluar për të pushuar, ose kanë ndaluar për tu furnizuar me ushqime. Për ta Shijaku është një vend pothuajse i ngjashëm me Hercegovinën, madje edhe lumi që kalon përmes këtij qyteti, Erzeni, ishte i ngjashëm me lumin Nerdva në Hercegovinë. Ata vlerësuan vendndodhjen, klimën, tokën, pjellorinë e tokës dhe në veçanti, miqtë e fqinjët, të cilët nuk i pritën si të huaj, por si vëllezër.

Në aktivitetin e organizuar morën pjesë deputetë të kuvendit, krerët e njësive vendore të Durrësit, Shijakut etj, të cilët vlerësuan rolin e boshnjakëve në jetën kulturore -artistike e sportive ku u integruan dhe spikatën. “Do të bashkëpunojmë në të mirë të komunitetit tonë”, tha Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë Durrës.

/portali DurresLajm/