DURRËS, 14 shkurt 2015 –  Në zbatim të programit të Qeverisë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në fushën e punësimit, për vitin 2015 nga buxheti i shtetit është akorduar një fond prej 450 milionë lekë për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit. Këshilli Administrativ Trepalësh i Shërbimit Kombëtar të Punësimit shqyrtoi dhe miratoi detajimin e fondit të akorduar për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit (shih poshtë tabelën, burimi: APP).

“Dyrrah”-u ka përllogaritur se “Durana”, boshti ekonomik i qarqeve të Durrësit dhe Tiranës, kanë marrë së bashku gjithsej 182 milionë lekë, ose 40,4 për qind të “tortës” (Tirana 93 milionë plus Kavaja 7 milionë kanë 100 milionë lekë ose 22,2 për qind të totalit; Durrësi 65 milionë plus Kruja 17 milionë, kanë 82 milionë lekë ose 18,2 për qind të totalit). Kuptohet se në “Durana” është përqendruar mbi 60 për qind e bizneseve, ndonëse me 1 077 117 banorët së bashku përfaqësojnë 36,4 për qind të popullsisë më 1 janar 2015.

Kurse qarqet e Fierit me 66,5 milionë lekë për tri rrethe dhe Vlorës me 20 milionë lekë për tri rrethet përfaqësojnë së bashku, 86,5 milionë lekë, ose 19 për qind të fondit gjithsej për nxitjen e punësimit për të gjithë vendin.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/