Bosi i Camorra-s, Luigi Cacciapuoti u kap në Giugliano në Campania, disa kilometra larg Napolit. 64-vjeçari, i cili ishte në arrati, besohet të jetë kreu i klanit homonim që vepron në Villaricca dhe komunat fqinje. Bosi i Camorras u tradhtua nga një qenush, “mik besnik” i një gruaje që takoi shefin.
Hetuesit vunë re qenin ndërsa po shihnin nga një dritare gjysmë e mbyllur e një vile të madhe. Ata nisën të dyshonin se ky ishte vendi i fshehjes së Cacciapuotit. Pas bastisjes në shtëpi, burri u arrestua dhe u dërgua në burg në Secondigliano.
Gjuetia, e cila zgjati disa muaj, përfundoi në një vilë me një pishinë pranë bregut të Giugliano në Campania, në fshatin Varcaturo. Bosi, i cili duhet të vuajë 15 vjet burg për krijimin e nje organizate mafioze u arrestua nga karabinierët e njësisë hetimore të Castello di Cisterna, të koordinuar nga drejtoria antimafia e rrethit napolitan. Cacciapuoti ishte i pagjurmueshëm për disa kohë.
Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi përgëzoi forcat e rendit dhe hetuesit për operacionin e kryer nga karabinierët në Giugliano në Campania.
Klani Ferrara-Cacciapuoti
Bosi i arrestuar besohet të jetë kreu i klanit Ferrara-Cacciapuoti të Villaricca, një komunë në brendësi të Napolit, e cila historikisht i përket kartelit “Familja e Re” të Camorra-s, së bashku me atë të Nuvoletta di Marano di Napoli dhe Casalesi.
E lidhur me krahun korleonez të Cosa Nostra-s, ajo është ushtarakisht kundër Organizatës Nuova Camorra, e cila drejtohej nga i ndjeri Raffaele Cutolo. Me kalimin e viteve, struktura dhe metodat e veprimit të klanit Villaricca kanë ndryshuar, duke zhvilluar një vokacion sipërmarrës në sektorët e ndërtimit, hotelerisë, ushqimit dhe marketingut të hidrokarbureve.