Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kërkoi nga Bosnje Hercegovina të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Deklarata e kreut të shtetit u bë në konferencën e përbashkët që pati me homologun Dragan Čović. Gjatë vizitës zyrtare në Bosnje Hercegovinë, presidenti Nishani theksoi se një hap i tillë do të përmirësonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bosnjes.
"Kërkova rishikimin e qëndrimit nga Bosnja-Hercegovina për njohjen e Republikës së Kosovës dhe të dokumenteve të saj, duke shprehur besimin se ky veprim jo vetëm që do t’i hapte rrugën normalizimit të marrëdhënieve mes Bosnje-Hercegovinës e Kosovës, por do të kishte një impakt shumë të rëndësishëm e pozitiv, për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore," – tha presidenti Nishani.
Për kreun e shtetit shqiptar ka ardhur koha që të shfrytëzohen hapësirat ekonomike mes Shqipërisë dhe Bosnjes, madje duke hedhur idenë e lëvizjes për qytetarët e dy vendeve vetëm me kartë identiteti.