Ngjarja e rëndë e ndodhur në Dortmund, kur u dëgjuan 3 shpërthime pranë autobusit të Borussias, ka prekur të gjithë botën e futbollit e sidomos UEFA-n. Presidenti Alexander Ceferin, nëpërmjet një komunikate shprehu keqardhjen e tij për atë çfarë ndodhi, ndërkohë që foli edhe për shtyrjen e ndeshjes me Monacon.“Jam shumë i prekur nga ajo çfarë ndodhi në Dortmund. Vendimi për shtyrjen e ndeshjes ishte i drejtë, pasi për ne prioritet është mirëqenia dhe siguria e të gjithë tifozëve, zyrtarëve, futbollistëve. Dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për përfaqësuesit dhe tifozët e të dyja skuadrave për bashkëpunimin”, tha Ceferin.

Edhe klube e futbollistë të ndryshëm kanë reaguar për shpërthimet në Dortmund, ku mbeti i plagosur mbrojtësi Marc Bartra.“E gjithë mbështetja jonë shkon për Bartranë, Borussia Dortmundin dhe tifozët e saj”, lexohet në mesazhin e klubit të Barcelonës në “Twitter”, i ngjashëm edhe me atë të skuadrës së Valencias.Nuk qëndruan indiferentë as Javi Martinez e Radamel Falcao, që i dërguan një mesazh të drejtpërdrejtë Bartrasë.“Shpresoj që të jesh mirë dhe të mund të luash ndaj Monacos”, lexohet në mesazhin e Javi Martinez. “Më vjen keq për gjithçka ndodhi. Të gjithë jemi mirë. Shpresoj në një shërim të shpejtë të Bartra”, shkruan Falcao.Mesazhe solidariteti dhe kurajoje në drejtim të Bartrasë kanë ardhur edhe nga Bayer Leverkusen, Sergio Ramos, Atletico Madrid, Koke e Arsenal, ndërkohë që shprehu keqardhjen e tij edhe kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy .“Po ndjekim me vëmendje ngjarjet në Dortmund dhe gjendjen e Marc Bartra. I uroj një shërim sa më të shpejtë”, lexohet në mesazhin e kreut të qeverisë spanjolle.