Brazil, 5 korrik 2014 – Përfundon këtu Botërori i Neymar, kur la fushën ndërsa dilte me barelë në minutën e 87 të ndeshjes me Kolumbinë një komb i tërë mbajti frymën. Sulmuesi që pësoi një goditje të ashpër në shpinë nga gjuri i Zunigas ju nënshtrua ekzaminimeve mjekësore që evidentuan frakturën e vertebrës së tretë në shtyllën kurrizore. As që bëhet fjalë për një rikueperim të shpejtë për kampionin e Brazilit dhe të Barcelonës tani nevojiten nga 4 deri në 6 javë pushim. Dy orë pas përfundimit të ndeshjes, ishte doktori i skuadrës së Selecaos, Rodrigo Lasmar që i tha publikut live në tv atë që 200 milionë brazilianë nuk dëshironin të dëgjonin. Neymar është jashtë Kupës së Botës.
Dëmtimi i Neymar në çerekfinalen kundër Kolumbisë ngjall reagimin e disa prej emrave më të njohur të botës së sportit, të cilët dalin në krah të yllit brazilian, duke i dhënë kurajo. Argjentinasi Lionel Messi që është edhe shok skuadre te Barcelona me 22-vjeçarin, shkruan: “Neymar, miku im, shpresoj që të rikuperohesh sa më shpejt”. Është ky mesazhi që Messi i dërgoi nga Facebook si në spanjisht ashtu edhe në anglisht. Por nëse Messi mendon të mbështesë Neymar, Kobe Bryant shfryn ndaj lojtarit kolumbian, Camillo Zuniga. “Goditja ndaj Neymar është një shembull i keq dhe pa klas për ata që konkurrojnë në sport”, shkruan lideri i Los Angeles Lakers. Ndërkohë, mbrojtësi David Luiz u shfaq mjaft i mërzitur përpara mediave braziliane, pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer dhe golit të shënuar në fitoren e Brazilit. Sipas tij, çdokush në skuadër është i mërzitur për atë që i ndodhi sulmuesit.
Për kapitenin Thiago Silva, Neymar që e ka ëndërruar që fëmijë pjesëmarrjen në Botëror është një nga ata lojtarë që i jep futbollit gëzim dhe magji. Mbrojtësi e pranon se Brazili është i varur nga 22-vjeçari, pasi ai bën diferencën në fushën e lojës. Në fund, Thiago Silva shton se të gjithë shokët e skuadrës do të luftojnë për ta fituar Kupën e Botës edhe për të. Ndërkohë vetë kolumbiani Camillo Zuniga shprehet se faulli i tij nuk kishte për qëllim dëmtimin e sulmuesit. “Nuk veprova për të dëmtuar. Në fushën e lojës luajmë fort, por asnjëherë për të dëmtuar kundërshtarët”, qartësoi mbrojtësi i Napolit.
Mungesa e Neymar është një goditje e rëndë për brazilianët, një mallkim pasi Scolari duket sikur e kishte paralajmëruar një katastrofë të tillë. Sërish trajneri 65-vjeçar ngriti zërin dhe drejtoi gishtin tek arbitrat, si përgjegjës indirekt për dëmtimin e yllit të Barçës.
“E kam thënë vazhdimisht se Neymar po përndiqet, por të gjithë më shikojnë shtrembër kur e them këtë. Zuniga nuk mori të paktën karton të verdhë, ndërsa Thiago Silva u ndëshkua menjëherë sepse çfarë bëri? Asgjë nuk bëri”.
Janë humbje vërtet të rënda për kombëtaren braziliane. Neymar e ka udhëhequr skuadrën drejt sukseseve me 4 gola të shënuar, ndërsa ishte Thiago Silva, ai që realizoi golin e avantazhit ndaj Kolumbisë. Një lum i madh për t’u kaluar ndodhet përpara për Scolarin sepse duhet të ridimensionojë lojën në mungesë të dy protagonistëve.
“Kemi hedhur 5 hapa, ndërsa mbeten edhe 2 të tjerë për të arritur te titulli. Duhet të mendojmë menjëherë për sfidën me Gjermaninë, duke e ditur që nuk do ta kemi aspak të lehtë”.
Me gjermanët e Low, Brazili i Scolarit do të takohet të Martën e javës së ardhshme në Belo Horizonte.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





