Mijëra qytetarë rusë protestuan kundër pushtimit të Ukrainës. Edhe pse e kanë të ndaluar me ligj të protestojnë ata kanë dënuar luftën që vendi i tyre po bën kundër vendit fqinj.
Deri më tani autoritetet ruse kanë arrestuar rreth 1,700 protestues. Pavarësisht presionit nga autoritetet, më shumë se 1000 njerëz u mblodhën në qendër të Moskës të enjten në mbrëmje, duke brohoritur “Jo luftës!” ndërsa makinat që kalonin u binin borive.
Protestuesit dolën në sheshet publike dhe jashtë ambasadave ruse në shumë qytete të botës për të denoncuar pushtimin e Ukrainës. Në Londër, qindra demonstrues, shumë prej të cilëve ukrainas, u mblodhën jashtë Downing Street, ku i kërkuan Britanisë së Madhe të bëjë më shumë.
“Ne kemi nevojë për ndihmë, kemi nevojë për dikë që të na mbështesë. Ukraina është shumë e vogël ndërsa pushtuesi shumë i madh”.
Qindra protestues të tjerë u mblodhën jashtë Bashkisë së San Franciskos në SHBA për të dënuar sulmin e Ukrainës. Ukrainasit në Brazil, Meksikë dhe Argjentinë dolën në rrugë për të protestuar kundër pushtimit rus të vendit të tyre.
“Unë do t’i kërkoja komunitetit ndërkombëtar të na ndihmojë ta bëjmë Presidentin rus Vladimir Putin ta lërë vendin tonë të qetë. Ai ka shumë territore, shumë probleme brenda vendit të tij. Pse po pushton vendin tonë? Ne jemi paqësor.”
Protesta të tjera u zhvilluan në Turqi, Spanjë, Francë, Hungari, Poloni, Bullgari, Greqi, Itali dhe Gjermani. Pavarësisht kushteve atmosferike turmat në rrugët e Sidneit nuk u ndalën për të përkrahur popullin ukrainas teksa protestat janë shtrirë thuajse në të gjithë botën.





