Shfaqja e pandemisë Covid-19 rreth dy vite më parë riktheu si pak herë vëmendjen e njerëzimit tek bluzat e bardha, të cilat në këtë betejë me virusin vdekjeprurës ishin në vijën e parë të frontit.

Gjatë këtyre 20 muajve që jetojmë me koronavirusin rreth nesh, ndikimi i tij në psikologjinë e gjithsecilit, por edhe në sëmundjet akute dhe kronike është një fakt i pranuar nga të gjithë.

Pikërisht për të diskutuar mbi ndikimin e Covid-it mbi pacientët me sëmundje kronike, Urdhri i Mjekut Durrës organizoi sot konferencën mjekësore “Impakti i COVID-19 në patologjitë akute dhe kronike, menaxhimi i tyre” me specialistë të fushës.

Në nisje të konferencës u shfaq edhe një dokumentar mbi punën e mjekëve gjatë muajve të vështirë të pandemisë, i cili kishte si kolonë zanore zërin e ngrohtë të Anita Takes, me “Këngën e mjekut”.

“Në ditët e para, gjithë njerëzimi u vu para dilemës: Ç’do bëjmë para një armiku të ri, të panjohur, të padukshëm, mjekët dhe gjithë personeli shëndetësor për asnjë moment nuk u ndal. Bota u duk sikur u ndal, por ne nuk u ndalëm”,- tha neurologia e njohur, Eda Harizi, presidente e Urdhrit të Mjekut Durrës.

Konferenca bëri bashkë punonjësit e sektorëve më të rëndësishëm që u përballën me betejën e COVID-19, mjekët e urgjencës, ata të familjes, specialistët e fushës. Me ta janë bashkuar dhe mjekë të ardhur nga Kosova, Maqedonia për të ndarë me kolegët eksperiencat e tyre dhe trajtimet e ofruara tek pacientët me covid. 

Sfidat me COVID-19 për bluzat e bardha, përditësimi i mjekimeve të përdorura tek pacientët me koronavirus pas aprovimit nga shoqatat ndërkombëtare mjekësore dhe deri tek terapitë e reja që kanë dalë së fundmi, ishin të gjitha pjesë e diskutimeve të mjekëve relatorë.

Neurologia e njohur Edlira Harizi u shpreh gjatë fjalës së saj se në këtë konferencë konfrontohen eksperiencat e mjekëve.

Krahas diskutimeve shkencore për të këtë virus, që në momentin e shfaqjes ishte i panjohur për njerëzimin, kjo konferencë vjen edhe si një mesazh falenderimi për të gjithë bluzat e bardha, të cilët nuk u stepën në asnjë moment përballë virusit, duke rrezikuar dhe jetën siç dhe ndodhi në vendin tone , por edhe në botë.