Koronavirusi po përhapet me ritme të shpejta në veri të Italisë. Numri i viktimave arriti në 7, ndërsa 230 janë të infektuarit.

Harta e të prekurve shtrihet në 5 rajone. Krahas Lombardisë e Venetos, te infektuar ka edhe ne Piemonte, Emilia Romanja dhe Lacio, siç duket edhe në këtë hartë të publikuar nga mediat italiane.

Autoritetet kanë marrë masa drastike në përpjekje për të izoluar virusin. Në 10 qytezat e vendosura në karantinë, ku janë shfaqur edhe rastet e para të të prekurve, policia nuk lejon hyrjet dhe daljet. Këto pamje janë xhiruar në Kastelpusterlengo, pranë Milanos. Shkollat, universitetet dhe institucionet publike janë mbyllur thuajse në të gjitha qytetet e mëdha.

Të përfshirë nga paniku e për të shmangur sa më shumë daljet nga banesat, banorët po furnizohen masivisht me ushqime, duke krijuar radhë të gjata jashtë supermarketeve. Në disa supermarkete ka mungesë ushqimesh për shkak të blerjeve të jashtëzakonshme. Në farmaci mungojnë maskat. Nëpër qytet lëvizjet janë të pakta.