Franca dhe Belgjika janë vendet europiane të radhës që lehtësojnë masat anti-COVID. Nga kjo e Mërkurë, francezët lejohet të shfrytëzojnë edhe ambientet e brendshme të bareve, restoranteve, pishinave apo palestrave, të cilat do të punojnë megjithatë me gjysmë kapaciteti, për të shmangur mbipopullimin. Orari i shtetrrethimit reduktohet me dy orë dhe tashmë do të nisë në orën 11 të natës.

Ambientet e brendshme të aktiviteteve jo-thelbësore hapen nga kjo e Mërkurë edhe në Belgjikë, ku nuk lejohen vizita me më shumë se 200 persona në salla të mëdha. Ambientet e brendshme të bareve dhe restoranteve do të punojnë me 75% të kapacitetit.

Sakaq pas Britanisë së Madhe edhe Rusia po shfaq shifra në rritje të infektimeve. 24-orëshi i fundit shënoi mbi 10 mijë infektime të reja, një nivel që nuk ishte arritur prej Marsit. Qeveria ruse është përpjekur të shmangë bllokadat e ashpra për ta lënë ekonominë të marrë frymë.

Po ashtu procesi i vaksinimit nuk ka përparuar shumë dhe aktualisht 12% e popullsisë kanë marrë të paktën njërën nga dozat e Sputnik V. Autoritetet ruse thonë se pavarësisht kapacitetit të ulët të prodhimit, vaksinat i kanë shpërndarë në mënyrë të drejtë me vendet që kanë pasur nevojë dhe nuk kanë pasur prioritet vetëm popullin rus.