Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës ka njoftuar se po ndalon përkohësisht hyrjen në vend të shumicës së të huajve, në përpjekje për të ndaluar rastet e reja të të prekurve nga koronavirusi. Ministria e Jashtme bëri të ditur se edhe shtetasit e huaj me leje qëndrimi do të ndalohen të hyjnë duke filluar nga e shtuna.

Të gjitha vizat tranzit do të pezullohen përkohësisht. Ministria bëri të ditur gjithashtu se do të përjashtohen nga kjo masë diplomatët dhe qytetarët e huaj që vijnë në Kinë për “aktivitete të domosdoshme ekonomike, tregtare, shkencore ose teknologjike ose për nevoja humanitare emergjente”, të cilët mund të aplikojnë për viza.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme tha gjithashtu se “pezullimi është një masë e përkohshme që Kina është e detyruar ta marrë për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi në vendet e tjera.”

Përhapja e koronavirusit filloi në Wuhan. Për këtë shkak, Kina ka aprovuar procedura të rrepta shtetrrethimi dhe mbyllje të kufijve.