Nga Ekuadori vjen çudia e radhës në futboll. Publiku shqiptar është mësuar të dëgjojë se futbollistët në kampionatin tonë mbeten për shumë muaj peng i klubeve të cilat u vonojnë atyre rrogat duke i zvarritur pafundësisht.
Jemi mësuar edhe me bojkotet e stërvitjeve nga lojtarët në shenjë proteste. Por gaboheni nëse mendoni se ky është kulmi. Me sa duket, ka edhe më keq se këtu. Drejtuesit e klubit Klan Juvenil në Ekuador kanë pushuar nga puna gjithë lojtarët, pasi këta të fundit kanë kërkuar rrogat e prapambetura.
Klan Juvenil luante në këtë fundjavë derbin kundër Liga De Kuito, në elitën e futbollit ekuadorian. Kush priste një ndeshje të fortë u gabua, pasi Liga De Kuito fitoi me rezultatin e pastër 5-0. Arsyeja ishte e thjeshtë, përballë gjendej ekipi i të rinjve i Klan Juvenil.
Lojtarët e ekipit të parë kishin katër muaj pa u paguar dhe në fund kishin bojkotuar stërvitjen e së premtes në shenjë proteste.
Klubi, jo vetëm vendosi menjëherë t’i pushonte të gjithë nga puna, por i ka ndaluar atyre edhe hyrjen në stadium, duke mos i lejuar as të ndjekin ndeshjet e skuadrës ku kishin dhënë kontributin e tyre deri pak ditë më parë.





