Dridhet Spanja. Sipas të përditshmes "EL Pais", pjesëmarrja e "Furive të Kuqe" në Botërorin e ardhshëm që do të zhvillohet në Rusi është në rrezik.
Federata Spanjolle e Futbollit ka marrë një dokument nga FIFA ku paralajmërohet se mund të përjashtohet nga Botërori nëse qeveria spanjolle vazhdon planin për zgjedhjen e presidentit të ri të federatës.
Futbolli spanjoll është drejtuar përkohësisht nga Juan Padron, i cili ka marrë vendin e Angel Maria Villa, që u detyrua të largohej pas akuzave për korrupsion në verë.
Politika e FIFA-s është të pezullojë çdo federatë që është anëtare e saj nëse verifikohen presione apo ndërhyrje të politikanëve në federatat e futbollit.





