Organizatorët e Kampionatit Botëror të Futbollit 2022 në Katar, pritet që të propozojnë që akomodimi i tifozëve të bëhet në kampe me çadra të ngritura në shkretëtirë, për t’i lejuar atyre që të “shohin yjet”. Shqetësimi për kapacitetin e Katarit për të pritur mbi 500 mijë persona, që pritet të zbarkojnë në vend, janë shtuar për shkak të rënies drastike të çmimit të naftës, që ka shkaktuar vonesa në projektet e parashikuara për t’u ndërtuar në vend.

Kur fitoi të drejtën për të qenë vendi mikpritës për Kupën e Botës 2022, Katari u zotua të ndërtonte më shumë se 55 mijë dhoma të reja. Në Janar kjo shifër u rishikua dhe u ul në 46 mijë, pavarësisht kërkesës fillestare të FIFA –s për 60 mijë të tilla. Siç raporton “The Independent”, organizatorët tashmë shpresojnë që në mungesë të dhomave, t’i ofrojnë tifozëve një eksperiencë më autentike dhe t’i akomodojnë ata në tenda. Një zëdhënës i Komitetit Suprem të Kupës së Botës në Katar, për “Reuters” tha se, vendi dëshiron të tregojë mikpritjen e Lindjes së Mesme, ndaj sipas tij, po punohet për të krijuar një vend të përshtatshëm për mbështetësit që të flenë ‘poshtë yjeve’. Besohet gjithashtu se këto kampe, që planifikohet të vendosen në shkretëtirë, do të ndihmojnë në problemin e strehimit në vend, duke u kthyer në banesa vakante për të pastrehët pas eventit.