24 nëntor 2015 – Ndërkaq Briken Calja renditet i teti në botë në dygarësh në kategorinë 69 kg në kampionatin Botëror të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Houston të Teksasit. Peshëngritësi nga Elbasani që rikthehej për herë të parë në garim pas dy vitesh pezullim për shkak të Dopingut, dhuroi një provë interesante në Baterinë A, e cila duhet thënë se nisi në malore për të.
Calja në fakt në stilin e shkëputjes dështoi në dy provat e para në peshën 143 kilogramë, e madje në provën debutuese krijoi shqetësimin e një dëmtimi të mundshëm, pasi u shfaq teksa ndiente dhimbje në shpatull. Gjithsesi në provën e tretë dhe të fundit në shkëputje, Calja arriti të ngrinte me sukses 143 kilogram duke u renditur i 13-ti në këtë stil, por mbi të gjithë duke arritur të klasifikohej për të vazhduar garën.
Më i sukseshëm për Caljen ishte stili i shtytjes, në të cilin konfirmoi se mbetet stili i tij i preferuar. Ai bëri një nisje më të sigurtë, pasi edhe pse e nisi me një peshë që ishte inferiore vetem ndaj 3 rivalëve që zunë në përfundim vendet e para, që në provën e parë ngriti me sukses 177 kilogram.
Konkurimi i Briken Caljes vijoi i suksesshëm edhe në tentativën e tij të dytë ku Calja ngriti 183 kilogram për të entuziazmuar publikun, por në tentativën finale për të hyrë në zonën e medaljeve në këtë stil, Calja nuk arriti të ngrinte 187 kg në provën e tretë, duke u renditur i teti në botë në shtytje.
Gjithsesi me 143 kg në shkëputje dhe 183 kg në shtytje Briken Calja u rendit i teti në botë në dygarësh me 326 kg, duke fituar pikë të vlefshme kualifikuese për në Olimpiadën “Rio 2016″.
Në Houston të Teksasit garoi në Kategorinë 77 kg edhe Ekand Qerimaj, i cili u rendit i pestë në Baterinë B. Ish kampioni i Europës e nisi garën mjaft mirë duke realizuar me sukses dy provat e para në shkëputje me 151 dhe 154 kg, por nuk arriti të bënte të njëjtën gjë edhe në provën e tretë ku tentoi 156 kg.
Qerimaj u rendit i 6-ti në Baterinë B në shkëputje ndërsa edhe në shtytje 27-vjeçari dhuroi një provë mjaft të mirë duke dalë fitimtar në dy provat e para me 186 dhe 188 kg. Erkandi tentoi pozicionet e kreut në provën e tretë me 193 kilogram, por nuk arrit të ngrite këtë peshë duke përfunduar garën i 7-ti në Baterinë B në shtytje dhe i pesti në dygarësh me 342 kg.
Tanimë Qerimajt i duhet të presë rezultatet e Baterisë A për të njohur klasifikimin final në Botëror.
/portali DurresLajm/