Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Instituti i Historisë i Qendrës së Studimeve Albanologjike, vjen me një sërë botimesh monografike, dokumentare dhe periodike. Pas studimit të një sërë dokumentesh të marra nga arkivat e huaja, historianët prezantojnë të rejat në këto botime. Drejtori Beqir Meta ka bërë një panoramë të këtyre botimeve.

Këtë seri e hap monografia “Kur historia ndau dy popuj fqinjë; Shqipëria dhe Greqia, 1912-1914” e studiueses Ledia Dushku. Autorja, përmes shfrytëzimit të një literature të gjerë historiografike, ndalet në marrëdhëniet e Ismail Qemalit, Esat Toptanit, Vilhelm Vidit me Greqinë; përpjekjet e kësaj të fundit për të aneksuar territoret e Shqipërisë së Jugut; ndikimin e politikës së Fuqive të Mëdha në përvijimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke etj.

Monografia tjetër që i paraqitet publikut është “Minoritetet në Shqipëri midis integrimit dhe identitetit (1939-1949)” e studiueses Sonila Boçi. Ky studim historik mbi minoritetet vendos një bazament historiografik për specialistët dhe institucionet që merren sot me këto probleme. Monografia e tretë i takon studiuesit Edmond Malaj, e titulluar “Hebrenjtë në trojet shqiptare”.

Studimi jep të dhëna historike dhe social-kulturore për komunitetin hebraik jo vetëm në trojet shqiptare, po edhe në Perandorinë Osmane e në Ballkan. Por përveç monografive, në këtë përvjetor marrin rëndësi edhe korpuset me dokumente arkivore. Në këtë kuadër vjen një seri prej 5 vëllimesh e dokumenteve diplomatike austro-hungareze e titulluar “Shqipëria në dokumentet austro-hungareze” (1912).

Për vitin 1912, ky fond ka të dhëna me interes për ngjarje, që lidhen me Kryengritjen e Përgjithshme të atij viti, me Luftën Ballkanike dhe me momentin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Dy vëllime të tjera me dokumente, njëri francez dhe tjetri britanik, i sjell për lexuesin shqiptar, studiuesi nga Kosova Muhamet Shatri.

Vëllimi i parë titullohet “Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912”. Në 159 dokumente paraqiten ngjarjet e ndodhura nga marsi deri në tetor 1912. “Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913)” është vëllimi tjetër që përfshin 493 dokumente nga arkivat britanike të sjella në shqip nga profesor Xhevat Lloshi.

Në katër krerët e vëllimit renditen kronologjikisht dokumente mjaft interesante për ngjarje të rëndësishme të historisë së shqiptarëve nga tetori i vitit 1912 deri në gusht 1913. Një kontribut të rëndësishëm në botimin e dokumenteve arkivore ka dhënë dhe osmanologu tashmë i njohur Dritan Egro, i cili sjell në shqip “Ligji osman ndër shqiptarët e mesjetës së vonë”.