Nga Dr. Bledar Kurti
Më 17 maj 1510 u nda nga jeta Sandro Botticelli, por pak dihet se famën e tij e fitoi vetëm në fund të shekullit e 19-të, jetoi plot sëmundje, e vdiq i pamartuar, në vetmi dhe i varfër.
Ditët e sotme, shumë pak piktorë janë më të njohur se Sandro Botticelli. Por që nga dita e vdekjes së tij, e derisa ai u ri-zbulua në Angli rreth vitit 1870 nga Dante Gabriel Rossetti, Swinburne, Walter Pater dhe Ruskin, për katër shekuj ai u konsiderua si një artist shumë i vogël, origjinal por “primitiv”.
Dhe kjo harresë historike ndodhi sigurisht për shkak të hijes së rëndë që kishin lënë Leonardo, Raphael dhe Michelangelo. Sot tablotë e tij, Pranvera dhe Lindja e Venusit janë dy veprat më të famshme dhe më të analizuara në botë. Ndaj edhe qëndrojnë të ekspozuara së bashku në galerinë Uffizi në Firence.
Kur gjendesh përballë tyre ndien një yshtje të dybotshme, e cila të fton të bëhesh pjesë e skenës dhe të shtyn ta shkrish vështrimin në një lloj bukurie të re, e të përballesh me një fytyrë të panjohur të artit, e cila të josh e të tundon të dëshirosh që të bëhesh edhe ti pjesë e asaj skene.
Botticelli lindi në Firence në vitin 1445. Vitin e lindjes e kemi të mësuar nga një dokument i babait të tij, Mariano di Vanno Filipepi, i cili i referohet të birit si Sandro me moshë dy vjeçare. Në një dokument tjetër kadastre i babait të tij, në vitin 1458, thuhet se Sandro është trembëdhjetë vjeç, “sta allegere, ed è malsano” (po rritet dhe është me shëndet të dobët). Shëndeti i tij i dobët duket se e ndoqi artistin gjatë të gjithë jetës, pasi ai i kaloi vitet e fundit i shkëputur nga njerëzit, i varfër dhe i sëmurë.
Megjithatë, pavarësisht mundimeve të tij të shumta, ai ia arriti të na linte si trashëgimi kryeveprat e tij epokale.