Tiranë, 19 mars 2014 – Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, akuzoi sot kreun e qeverisë, Edi Rama se edhe pas vendimit të gjykatës, e cila urdhëroi rifillimin e punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri po i bllokon ato. Në një deklaratë për shtyp, Bozdo akuzoi kryeministrin se, në mënyrë absurde dhe të paligjshme ka urdhëruar shkeljen e ligjit për pushtetin vendor, duke imponuar në mënyrë të paligjshme “ngrirjen” e fondit për shpronësimet në bulevardin e ri.

“Edi Rama nuk i duron dot veprat. Paaftësia e tij si kryeministër dhe xhelozia për këtë kantier të madh të kryeqytetit, i vetmi ku punohet sot në Shqipëri, e shtyjnë atë drejt këtyre veprimeve antiligjore. Nën këtë kllapi xhelozie dhe revanshi, Edi Rama ka një dhe vetëm një objektiv: bllokimin e projekteve të Bashkisë së Tiranës me çdo çmim”,- theksoi Bozdo.

Për këtë, Bozdo tha se Bashkia e Tiranës ka informuar zyrtarisht prefektin, se “ngrirja” e fondit për shpronësimet në bulevardin e ri është në kundërshtim të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.

“Urdhëruesi i këtij veprimi antiligjor dhe konfliktual, Edi Rama po skalit çdo ditë e më fort emrin e tij si kryeministri i bllokimit, paaftësisë dhe dufit ndaj qytetarëve të Tiranës”,-perfundoi ai.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/