Banka Qendrore Europiane ngriti normën e depozitave në një nivel historik dhe mbajti opsionet e hapura, nëse do të nevojiten më shumë rritje, për të ulur inflacionin, në një sfond ekonomik në përkeqësim.
Kjo është herë e nëntë që norma rritet, duke e rritur normën që BQE paguan për depozitat e bankave, nga 3.50% në 3.75%, niveli më i lartë që nga viti 2000, përpara se kartëmonedhat dhe monedhat euro të ishin vënë në qarkullim.
Por, BQE hoqi një aluzion të qartë për rritje të mëtejshme nga deklarata e politikës monetare, që do të thotë se një rritje e re në takimin e ardhshëm të BQE-së në shtator, nuk duhet të merret si e mirëqenë.
“Vendimet e ardhshme të Këshillit Drejtues, do të sigurojnë që normat kryesore të interesit të BQE-së do të vendosen në nivele mjaft kufizuese,” tha BQE.
Inflacioni në Eurozonë, është përgjysmuar që nga tetori i kaluar, por në 5.5%, ai mbetet shumë mbi objektivin prej 2% të BQE-së.
Nga ana tjetër, kreditë, kërkesa për kredi dhe aktiviteti ekonomik, janë ngadalësuar ndjeshëm, duke treguar se rritja e normave të BQE-së tashmë po dëmton ekonominë.
“Zhvillimet që nga takimi i fundit, mbështesin pritshmërinë se inflacioni do të bjerë më tej, gjatë pjesës së mbetur të vitit, por do të qëndrojë mbi objektivin për një periudhë të zgjatur,” tha BQE.
Inflacioni vazhdon të bjerë, por ende pritet të mbetet shumë i lartë për një kohë të gjatë. Këshilli Drejtues është i vendosur të sigurojë, që inflacioni të kthehet në objektivin e tij afatmesëm prej 2% në kohën e duhur. Prandaj, sot vendosi të rrisë tre normat kryesore të interesit të BQE-së me 25 pikë bazë.
Rritja e normës sot pasqyron vlerësimin e Këshillit Drejtues për perspektivën e inflacionit, dinamikën e inflacionit bazë dhe fuqinë e transmetimit të politikës monetare. Zhvillimet që nga takimi i fundit, mbështesin pritshmërinë se inflacioni do të bjerë më tej gjatë pjesës së mbetur të vitit, por do të qëndrojë mbi objektivin për një periudhë të gjatë.
Ndërsa disa masa tregojnë shenja lehtësimi, inflacioni bazë mbetet i lartë në përgjithësi. Rritjet e normave të kaluara vazhdojnë të transmetohen me forcë: kushtet e financimit janë shtrënguar sërish dhe po zbehin gjithnjë e më shumë kërkesën, e cila është një faktor i rëndësishëm për kthimin e inflacionit në objektiv.
BQE-ja tani ka rritur kostot e huamarrjes me një total prej 4.25 pikë përqindjeje në një vit, ritmi i saj më i shpejtë në histori. Por, tashmë është qartë në dukje dhe debati është vendosur të zhvendoset në atë se sa kohë do të duhet të mbahen normat në nivelet aktuale.
Me vendimin e së enjtes, norma që bankat paguajnë për të marrë hua në ankandet javore të BQE-së, u rrit gjithashtu në 4.25% nga 4.0%, ndërsa kreditë ditore do të kushtojnë tashmë 4.50%, nga 4.25% që ishte më parë. / Reuters, European Central Bank