Pas shqetësimit të ngritur në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, nga deputeti Erjon Braçe, për sëmundjen në sera, ka reaguar ministri i Bujqësisë. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ministri Edmond Panariti njofton se ka kërkuar mbledhjen ne një takim për të diskutuar lidhur me përdorimin dhe tregtimin e farave e fidanëve të inputeve bujqësore, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimit të kapaciteteve menaxhuese.   

Duke marrë shkas nga situata e krijuar në disa sera të fermerëve të prekura nga sëmundja e Fuseriozës në zonën e Lushnjës, ministri Panariti ka ftuar të marrin pjesë në këtë takim edhe deputetët e zonës, Vasili, Bitri e Braçe.   Nisur edhe nga shqetësimet e ngritura nga deputetët për situatën e krijuar, ata do të jetë të pranishëm në zgjidhjet që do të propozohen nga ky forum për të ndihmuar në mbarëvajtjen e prodhimit bujqësor në zonë.   

“Pavarësisht nga këto shqetësime, treguesit e prodhimit dhe të eksporteve për perimet për tre muajt e parë të këtij viti, dëshmojnë për mbi 70% më shumë prodhim dhe eksport se një vit më parë”, shkruan ministri Panariti.  

Në takimin që do të organizohet në Lushnjë, do të marrin pjesë të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces si Enti Kombëtar i Farave, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, profesorë të Universitetit Bujqësor Tiranë, specialistë, agronomë, grumbullues dhe fermerë.   Deputeti i Partisë Socialiste në zonën e Lushnjes, Erjon Braçe, sërish ka shprehur pakënaqësitë e tij ndaj Ministrisë së Bujqësisë dhe ministrit Panariti.

  Në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS, Braçe i është ankuar kreut të grupit, Gramoz Ruçi, për ministrin Panariti, duke shfryrë gjithë pakënaqësitë e tij për punën e bërë në Lushnje, shkruan sot gazeta ‘Shqiptarja.com’.  

“Ministri ka vendosur në drejtorinë bujqësore një tufë të paaftësh. Të gjithë janë të LSI dhe ne nuk kemi asnjë akses atje të ndihmojmë fermerët. Njerëz që nuk bëjnë asnjë punë nga ato që janë ngarkuar të bëjnë. Ministri vjen në zonë dhe bën shou para fermerëve. I thotë drejtorit rajonal pse nuk ma ke sjellë këtë shqetësim sa për sy e faqe e pastaj ikën e s’kthen kokën mbrapa.   Fermerët kanë paguar me para farat, imputet dhe kimikatet që përdoren sipas nevojave. Të gjitha janë jashtë standardeve. Shpenzimet e fermerëve shkojnë dëm. Plehrat kimikë nuk japin efekt, madje në një rast flagrant, fermerët kanë blerë sasi të mëdha farash për kastravec dhe ju ka dalë kungull. Kjo është e rëndë. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë”, është shprehur Braçe në mbledhjen e grupit të PS.